Thursday, 27 August 2026
54°F Detroit
BallinaLajme nga Shqiperia“Kujt i përket Shqipëria?” — Berliner Zeitung e sheh protestën si përballje për pushtetin, pronën dhe modelin e zhvillimit

“Kujt i përket Shqipëria?” — Berliner Zeitung e sheh protestën si përballje për pushtetin, pronën dhe modelin e zhvillimit

Një nga gazetat e njohura gjermane, Berliner Zeitung, i ka kushtuar një analizë të gjatë zhvillimeve të fundit në Shqipëri dhe protestës kundër projektit turistik të lidhur me Jared Kushner, dhëndrin e presidentit amerikan Donald Trump. Titulli i shkrimit, botuar më 24 gusht, është në vetvete domethënës: “Aufstand gegen die Trump-Familie: Wem gehört Albanien?” — “Revoltë kundër familjes Trump: Kujt i përket Shqipëria?”. Autor i analizës është gazetari Cedric Rehman.

Berliner Zeitung nuk e trajton zhvillimin thjesht si një konflikt mes ambientalistëve dhe ndërtuesve të një resorti. Që në nëntitull gazeta shkruan se Shqipëria e vogël ballkanike “po bëhet problem” për dhëndrin e Trumpit, ndërkohë që prokurorët po hetojnë dhe në kryeqytet po rritet kundërshtimi ndaj projektit të luksit. Pra, çështja vendoset menjëherë në një terren shumë më të gjerë politik.

Reportazhi nis nga Tirana dhe nga kontrasti mes dy Shqipërive. Autori përshkruan Bulevardin e Ri, pallatet e reja luksoze në ndërtim dhe, përballë tyre, mbetjet e vjetra të zonës së ish-stacionit të trenit. Formula me të cilën e hap shkrimin është e goditur: Shqipëria e re shkëlqen në diell, ndërsa e vjetra ndryshket. Ky kontrast bëhet pikënisja për një pyetje që shkon përtej arkitekturës së Tiranës: kush po e ndërton Shqipërinë e re dhe, mbi të gjitha, për kë po ndërtohet ajo?

Në qendër të debatit është projekti turistik i lidhur me Jared Kushner, me plane për zhvillime luksoze në Sazan dhe në zonën e Zvërnecit. Protesta që nisi për mbrojtjen e një zone me rëndësi të veçantë natyrore është shndërruar ndërkohë në një lëvizje shumë më të gjerë. Flamingoja, shpendi karakteristik i lagunës së Nartës, është bërë simboli i saj, ndërsa kundërshtimi nuk lidhet më vetëm me betonizimin apo mbrojtjen e mjedisit.

Në një raportim të mëparshëm për të njëjtën çështje, Berliner Zeitung kishte theksuar akuzat e ambientalistëve për mungesë transparence në lejet dhe procedurat mjedisore. Gazeta raportonte gjithashtu se SPAK po shqyrtonte pronësinë dhe statusin ligjor të pronave në zonën e projektit dhe se mbetej e paqartë nëse hetimet do të kishin pasoja të drejtpërdrejta mbi projektin e Kushnerit.

Pikërisht këtu analiza e fundit e gazetës gjermane merr një dimension tjetër. Pyetja nuk është më thjesht nëse duhet apo nuk duhet të ndërtohet një resort. Në sfond qëndron modeli ekonomik që Shqipëria ka zgjedhur gjatë viteve të fundit: një turizëm që rritet me shpejtësi, investime të mëdha, komplekse luksoze dhe toka me vlerë gjithnjë e më të madhe në bregdet. Bashkë me këtë zhvillim lind pyetja se kush vendos për këto pasuri dhe kush përfiton prej tyre.

Kjo shpjegon edhe forcën e titullit të Berliner Zeitung: “Kujt i përket Shqipëria?”. Nuk është një pyetje juridike për një parcelë toke. Është pyetje politike për raportin mes shtetit, qytetarit dhe kapitalit të madh; për kufirin deri ku një qeveri mund të përdorë argumentin e zhvillimit ekonomik për të justifikuar vendime që prekin pasuri natyrore dhe publike.

Qeveria e Edi Ramës e ka mbrojtur projektin duke argumentuar se Shqipëria ka nevojë për investime të mëdha dhe për një turizëm të nivelit të lartë. Rama ka deklaruar se zhvillimi ekonomik dhe mbrojtja e natyrës nuk duhet domosdoshmërisht të përjashtojnë njëra-tjetrën. Në raportimet e saj të mëparshme Berliner Zeitung ka cituar qëndrimin e tij se Shqipëria duhet të mbetet e hapur për investitorët dhe nuk duhet të krijojë imazhin e një vendi që i refuzon investimet e huaja.

Por protesta ka zhvendosur debatin. Kundërshtarët e projektit nuk po shtrojnë vetëm pyetjen nëse Shqipërisë i duhen investitorët e huaj. Ata shtrojnë një pyetje tjetër: me çfarë kushtesh vijnë këta investitorë, si merren vendimet dhe sa mundësi ka publiku t’i kontrollojë ato?

Kjo është arsyeja pse shkrimi i Berliner Zeitung ka rëndësi përtej kronikës së protestave. Një gazetë e madhe gjermane nuk po e sheh më Shqipërinë vetëm si vendin me plazhe të bukura, turizëm në rritje dhe çmime të ulëta. Ajo po sheh edhe kontradiktën që mund të sjellë ky zhvillim: mes Shqipërisë që dëshiron kapital dhe Shqipërisë që kërkon të ruajë kontrollin mbi territorin, pasuritë dhe vendimmarrjen e saj.

Në fotografinë kryesore të artikullit shfaqen protestuesit në Tiranë më 11 korrik, në një demonstratë kundër resortit të planifikuar pranë zonës së mbrojtur të Vlorës. Edhe fotografia, edhe titulli e bëjnë të qartë këndvështrimin që gazeta ka zgjedhur: projekti Kushner është pika e nisjes, por historia për të cilën shkruan Berliner Zeitung është më e madhe. Është historia e debatit mbi atë se çfarë Shqipërie po ndërtohet dhe kujt do t’i përkasë ajo.

Lexo shkrimin origjinal në Berliner Zeitung

Lini një koment