E premte, 27 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Kuko: Jemi në dyert e BE-së, Shqipëria ndër vendet me zhvillimin më të mirë në rajon

Kuko: Jemi në dyert e BE-së, Shqipëria ndër vendet me zhvillimin më të mirë në rajon

Nënkryetarja e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Romina Kuko, e ka cilësuar periudhën aktuale si një moment të rëndësishëm për Shqipërinë, duke theksuar arritjet e vendit në rrugën drejt integrimit evropian.

E ftuar në emisionin “3D” të Alban Dudushit në RTSH, Kuko u shpreh se Shqipëria, pas 114 vitesh shtetformim, sot renditet ndër vendet me zhvillimin më të mirë ekonomik në rajon dhe është në prag të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Duke iu referuar vlerësimit të reformave nga institucionet evropiane, ajo theksoi se Shqipëria ka performuar në nivele të larta.

“Unë do të thoja se është një moment shumë i mirë i Shqipërisë. Jemi 114 vite shtet, i kemi mbijetuar dy luftërave botërore, një diktature që rrënoi shtetin dhe shoqërinë shqiptare, dhe sot flasim për një vend që është ndër kryesorët për zhvillimin që ka, ekonomia e parë në rajon. Është një vend që është në dyert e BE-së dhe sot morëm lajmin që Shqipëria ka performuar shumë lart për sa i përket të gjitha reformave”, tha Kuko.

Kuko bëri dallimin mes debateve të brendshme politike dhe momentit historik që po kalon vendi, duke nënvizuar se përplasjet politike janë pjesë e demokracisë, por nuk duhet të ndikojnë në rrugën drejt integrimit evropian.

“Dua ta ndaj momentin e konflikteve të brendshme politike nga momenti historik ku ndodhet vendi. Shqipëria është vend anëtar i NATO-s, pret të bëhet anëtare e BE-së dhe nga vetë BE-ja shanset janë shumë të larta. Dua ta ndaj debatin e brendshëm, që është i shëndetshëm për demokracinë, nga momenti historik. Debati i brendshëm ka impaktin e vet, por kur flasim për shinat e mëdha ku ecën vendi, rruga drejt integrimit nuk cenohet”, tha Kuko.

Lini një koment