E martë, 3 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Kosova›Kurti: Kjo fundjavë është vendimtare për presidentin — sot pritet takimi me Hamzën

Kurti: Kjo fundjavë është vendimtare për presidentin — sot pritet takimi me Hamzën

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se kanë nisur komunikimet me liderët e partive politike lidhur me marrëveshjen për zgjedhjen e presidentit të vendit, siç njofton KosovaPress. Deklaratat Kurti i bëri të premten, gjatë Konferencës Ndërkombëtare për Fuqizimin e Grave.

“Kemi filluar komunikimet. Natyrisht, se kjo fundjavë është vendimtare për të pasur një marrëveshje, në mënyrë që javën e ardhshme të kemi një president apo presidente të re”, tha Kurti, sipas raportimit të KosovaPress.

Kosova duhet ta zgjedhë presidentin deri më 6 tetor, në të kundërtën vendi shkon në zgjedhje të reja parlamentare, që sipas afatit duhet të mbahen më së largu më 15 nëntor. Afati 60-ditor për zgjedhjen e kreut të shtetit u përcaktua nga Gjykata Kushtetuese.

Ndërkohë, siç mëson Gazeta Nacionale, kryetari i LVV-së, Albin Kurti, dhe kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, do të takohen sërish sot pasdite, me temë të takimit projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe çështjen e presidentit. Lajmin për takimin e sotëm e konfirmon edhe Klan Kosova.

Kurti nuk ka dhënë detaje të tjera për përmbajtjen e komunikimeve apo për emrin e mundshëm të kandidatit, ndërsa ka theksuar se qëllimi është që marrëveshja të arrihet gjatë kësaj fundjave dhe që presidenti të zgjidhet javën e ardhshme.

Lini një koment