Kurti: Prodhimi testues në fabrikën e municionit në Gjakovë deri në fund të dhjetorit 2026
Fabrika shtetërore e municionit në Gjakovë pritet të realizojë prodhimin e parë testues deri në fund të dhjetorit 2026, kur parashihet të përfundojë edhe pjesa prodhuese e kompleksit. Kështu ka bërë të ditur kryeministri Albin Kurti në seancën e Kuvendit, siç njofton KosovaPress, duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetes së PDK-së, Besa Kabashi-Ramaj, lidhur me financimin, detyrimet financiare dhe afatet e funksionalizimit të fabrikës.
Kurti e cilësoi kompleksin industrial të prodhimit të municioneve në Gjakovë si projekt strategjik për vendin, që synon rritjen e kapaciteteve mbrojtëse dhe mundësinë e furnizimit vendor me municione. Sipas tij, laboratorët, depot dhe objektet e tjera të kompleksit parashihen të përfundojnë gjatë vitit 2027, ndërsa kompleksi shtetëror do të ketë murin e vet rrethues, që do ta ndërtojë po ashtu kompania turke MKE.
Sa i përket financimit, kryeministri bëri të ditur se për projektin është lidhur kontratë e klasifikuar me kompaninë shtetërore turke MKE, pagesa e kontratës është realizuar plotësisht dhe nuk ka detyrime të papaguara financiare ndaj saj. Ai sqaroi se ndarja prej një milion eurosh në projektbuxhetin e vitit 2027 i referohet rrethojës së sigurisë së parkut të përgjithshëm industrial të mbrojtjes, i cili përfshin 144 hektarë, dhe është ndarje e veçantë nga ndërtimi i kompleksit të municioneve.
Kurti tha gjithashtu se para nënshkrimit të kontratës janë realizuar dy studime fizibiliteti nga kompani të dy shteteve anëtare të NATO-s. Ministria e Mbrojtjes, sipas tij, tashmë e ka rekrutuar stafin që do të punojë në fabrikë, dhe para fillimit të prodhimit testues punonjësit do të ndjekin trajnimin specialistik në Turqi.