Operacioni “Vjedhjet e Rënda” në Fushë Kosovë, arrestohen pesë persona për dëme rreth 200 mijë euro
Policia e Kosovës ka arrestuar pesë persona të dyshuar për disa raste të vjedhjeve të rënda në Fushë Kosovë, në kuadër të planit operativ “Vjedhjet e Rënda”, të realizuar më 26 nëntor 2026. Sipas njoftimit të Policisë, që e transmeton Telegrafi, të dyshuarit, duke përdorur forcën dhe mjete të forta, dyshohet se kanë depërtuar në lokale afariste, përfshirë fabrika dhe depo, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale dhe financiare.
Sipas deklarimeve të viktimave, vlera e dëmeve të shkaktuara arrin në rreth 200 mijë euro. Arrestimet erdhën pas një pune intensive hetimore të Njësitit të Hetimeve të Stacionit Policor në Fushë Kosovë, në bashkëpunim me Hetimet Rajonale dhe njësitë e specializuara të Policisë, ndërsa gjatë hetimeve, me urdhëresë të gjykatës kompetente, janë zbatuar edhe masa të veçanta hetimore.
Gjatë operacionit janë kryer kontrolle në pesë lokacione të ndryshme, ku janë gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri, telefona celularë dhe prova materiale që ndërlidhen me rastet nën hetim.
Të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa hetimet po vazhdojnë në koordinim me prokurorinë kompetente. Policia e Kosovës ka ritheksuar përkushtimin e saj në luftimin e kriminalitetit dhe mbrojtjen e pronës së qytetarëve.