Kurti: Radoiçiq duhet t’i dorëzohet Kosovës, pa përmbushjen e tri masave nuk ka përparim në dialog
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka deklaruar se tri masat për mirëbesim të vendosura nga Kosova ndaj Serbisë vazhdojnë të mbesin në fuqi, pasi sipas tij asnjëra prej tyre nuk është përmbushur.
Kurti tha se kërkesa e parë e Kosovës është dorëzimi i Millan Radoiçiqit tek autoritetet kosovare, duke kujtuar se ndaj tij dhe 44 personave të tjerë ekziston një aktakuzë për sulmin terrorist në Banjskë, ku mbeti i vrarë rreshteri policor, Afrim Bunjaku.
“Ato tri masat për mirëbesim qëndrojnë pasi ende asnjëra nuk është plotësuar. Së pari, Millan Radoiçiq duhet t’u dorëzohet autoriteteve të Kosovës, ku dihet që e ka aktakuzën prej 160 faqesh bashkë me 44 paramilitarë të tjerë terroristë, të cilët na e vranë rreshterin policor, Afrim Bunjakun, heroin e Kosovës”, deklaroi Kurti.
Ai shtoi se Radoiçiq vazhdon të jetë i lirë në Serbi dhe sipas raportimeve mediale është aktiv edhe në politikë.
“Radoiçiqi jo vetëm që është i lirë gati dy vjet e tetë muaj, por ai në Serbi është aktiv edhe në politikë. Ka raporte të shumta të mediave në Serbi dhe mediave ndërkombëtare se ai është pjesë e projekteve për ta shkatërruar opozitën demokratike dhe vazhdon me kërcënimet ndaj serbëve të Kosovës”, tha ai, përcjell Telegrafi.
Si kërkesë të dytë, Kurti përmendi tërheqjen e letrës së lexuar para vendeve të Bashkimit Evropian nga kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabiq, përmes së cilës, sipas tij, Serbia mohon integritetin territorial të Kosovës.
“Së dyti, ne kërkojmë që ajo letër të cilën e ka lexuar para 27-shes së BE-së dhe e ka dorëzuar kryetarja e Kuvendit, Ana Bërnabiq, ku thuhet se nuk e respekton integritetin territorial të Kosovës, të tërhiqet”, u shpreh Kurti.
Ai theksoi se nuk mund të ketë normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve pa respektim të marrëveshjeve të arritura.
“Nuk mund të kemi normalizim të marrëdhënieve nëse shkelet marrëveshja bazike që e kemi bërë, ndonëse nuk e ka nënshkruar, dhe kur i thotë fqinjit se nuk ta respektojë integritetin territorial”, deklaroi ai.
Kurti tha se kërkesa e tretë e Kosovës mbetet nënshkrimi i marrëveshjes bazike të Brukselit dhe aneksit të Ohrit.
“Qeveria e Kosovës ka qenë aktive, kreative dhe konstruktive në dialogun e Brukselit, ku vazhdimisht kemi shkuar me propozime. Në fund e arritëm një marrëveshje, së pari në Bruksel dhe më pas në aneksin e Ohrit. Dhe vazhdoj të them që ajo marrëveshje duhet të nënshkruhet”, tha Kurti.
Sipas tij, përmbushja e këtyre tri masave është e domosdoshme për vazhdimin e dialogut dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. /Telegrafi/