Monday, 21 September 2026
54°F Detroit
BallinaKosovaKurti takohet me kongresistin Wilson, i kërkon mbështetje për të drejtat e shqiptarëve në Luginë

Kurti takohet me kongresistin Wilson, i kërkon mbështetje për të drejtat e shqiptarëve në Luginë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim në New York me kongresistin amerikan Joe Wilson, bashkëkryesues i Komisionit të Helsinkit të SHBA-së dhe anëtar i Komisioneve për Punë të Jashtme dhe Forcat e Armatosura të Dhomës së Përfaqësuesve.

Takimi u zhvillua në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Kurti ka thënë se me Wilsonin ka diskutuar për thellimin e marrëdhënieve Kosovë-SHBA, me fokus në siguri e mbrojtje, investime dhe sundimin e ligjit.

“Shtetet e Bashkuara janë aleati ynë më i rëndësishëm dhe partneriteti ynë mbetet themelor për sigurinë, zhvillimin dhe perspektivën euroatlantike të Republikës sonë”, ka shkruar Kurti.

Sipas tij, në takim është diskutuar edhe për synimin e Kosovës për anëtarësim në NATO, avancimin e bashkëpunimit me SHBA-në dhe partneritetin e Forcës së Sigurisë së Kosovës me Gardën Kombëtare të Iowa-s, i cili daton që nga viti 2011.

Kurti ka thënë se është diskutuar edhe për sigurinë në Ballkanin Perëndimor, ruajtjen e orientimit euroatlantik të rajonit dhe pjesëmarrjen e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

Në këtë kuadër, ai ka përmendur edhe aspiratën e Kosovës për avancim drejt pjesëmarrjes së plotë në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).

Një pjesë e veçantë e takimit, sipas Kurtit, i është kushtuar situatës së shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

Ai ka ngritur çështjet e nënpërfaqësimit të shqiptarëve në institucionet publike, polici, gjyqësor dhe shëndetësi, si dhe pasivizimin e adresave, pengesat në arsimin në gjuhën shqipe dhe mosnjohjen e diplomave të fituara në Kosovë.

Në takim kanë marrë pjesë edhe deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, dhe kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani.

Kurti ka thënë se nga kongresisti Wilson ka kërkuar që të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës të trajtohen në Komisionin e Helsinkit dhe që këto çështje të ngrihen në komunikimet me Beogradin.

Në fund, Kurti e ka falënderuar Wilsonin për mbështetjen ndaj Kosovës dhe angazhimin e tij në çështjet e sigurisë, demokracisë dhe të drejtave të njeriut në rajon. Ai gjithashtu e ka ftuar kongresistin amerikan që ta vizitojë sërish Kosovën, së bashku me një delegacion të Kongresit amerikan./Telegrafi/

Lini një koment