Kush po përmendet për president të Kosovës?
Emrat për presidentin e ri të Kosovës nisin të qarkullojnë, por marrëveshja LVV-LDK ende mungon.
Emrat për presidentin e ardhshëm të Kosovës kanë nisur të qarkullojnë në skenën politike, por pavarësisht diskutimeve për profilin që duhet të ketë kreu i ri i shtetit, marrëveshja mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës ende mungon.
Kosova ka mbetur me ushtrues detyre të presidentit prej katër muajsh, ndërsa për zgjedhjen e presidentit të ri ende nuk ka një dakordim mes subjekteve politike. Kjo çështje ka ndikuar edhe në procesin e konstituimit të Kuvendit dhe formimit të qeverisë së re.
Por, cilët janë emrat që deri tani janë përmendur për postin e presidentit?
Profesori Ibrahim Berisha dhe ish-kryetari i Kuvendit në vitin 1990, Ilaz Ramajli, kanë mohuar përfshirjen e tyre në këtë proces.
Në anën tjetër, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka propozuar emrin e ish-presidentit Hashim Thaçi për rikthim në këtë post.
Edhe emri i ish-presidentit Fatmir Sejdiu është përmendur si një mundësi për rikthim në Presidencë.
Ndërkohë, LVV dhe LDK kanë zhvilluar takime për të diskutuar parimet e bashkëpunimit. Pas takimit të fundit, të dyja palët kanë deklaruar se nuk kanë diskutuar për emra konkretë të kandidatëve për president.
Analisti politik Dritëro Arifi vlerëson se asnjë emër serioz nuk do ta pranonte kandidaturën për president pa e ditur paraprakisht se çfarë marrëveshjeje do të arrinin LVV-ja dhe LDK-ja për çështjet kryesore politike.
“Përmendja e emrave pa një konfirmim, domethënë edhe publik, është në njëfarë mënyre dëmtim i reputacionit të personave të mundshëm për president apo presidente”, ka deklaruar Arifi.
Sipas tij, një kandidat serioz duhet ta dijë se për cilat politika janë dakorduar partitë dhe se çfarë roli do të ketë presidenti në raport me çështjet e rëndësishme shtetërore.
“Në një intelektual serioz, ai duhet ta dijë se për çfarë politike janë dakorduar partitë për emrin e propozuar. A do të ketë një marrëveshje për gazin, për pezullimin e dialogut strategjik? Çka ka të bëjë me marrëveshjen e Ohrit? Pra, janë disa politika shumë serioze e nacionale që duhet të dijë se si duhet të sillet presidenti”, ka thënë Arifi për Radio Evropa e Lirë.
Pas takimit me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se dëshiron që presidenti i ardhshëm të jetë një person me integritet, vlera dhe kontribut për shoqërinë.
Nga ana tjetër, LDK-ja ka bërë të ditur se nuk dëshiron një president që do të ishte vetëm figurë formale, por një personalitet që do ta ushtronte detyrën me dinjitet dhe përgjegjësi.
Në takimin e radhës ndërmjet subjekteve politike pritet të diskutohet edhe për kandidaturat e mundshme për presidentin e ri të Kosovës./Radio Evropa e Lirë/