E premte, 20 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Kushtetuesja zbardh vendimin për Endri Shabanin, zbulohet pse u rrëzua kërkesa e PD-së për zgjedhjen e Avokatit të Populli

Kushtetuesja zbardh vendimin për Endri Shabanin, zbulohet pse u rrëzua kërkesa e PD-së për zgjedhjen e Avokatit të Populli

Gjykata Kushtetuese ka publikuar vendimin e arsyetuar për zgjedhjen e Endrit Shabanit në detyrën e Avokatit të Popullit, duke zbardhur argumentet mbi të cilat rrëzoi kërkesën e 44 deputetëve të opozitës për shfuqizimin e vendimit të Kuvendit.

Në vendimin nr. 85, të datës 29 shtator 2026, Gjykata Kushtetuese ka vlerësuar se procedura e ndjekur për zgjedhjen e Shabanit nuk ka cenuar Kushtetutën, duke lënë në fuqi vendimin e Kuvendit të 11 dhjetorit 2025, me të cilin ai u zgjodh Avokat i Popullit me 85 vota pro.

Një nga çështjet kryesore të shqyrtuara lidhet me tërheqjen e firmave mbështetëse nga deputetët e Partisë Demokratike. Sipas vendimit, Endrit Shabani kishte siguruar 35 firma mbështetëse brenda afatit të përcaktuar, ndërsa më 5 dhjetor 2025, pas përfundimit të këtij afati, deputetët demokratë kërkuan tërheqjen e mbështetjes për kandidatët.

Gjykata ka arsyetuar se mbështetja e dhënë nga deputetët për një kandidaturë prodhon efekte juridike në momentin e depozitimit të saj dhe se tërheqja pas përfundimit të afatit nuk mund të zhbëjë kualifikimin e kandidatit.

Sipas Kushtetueses, duhet bërë dallimi mes firmës mbështetëse, e cila shërben për kualifikimin e kandidaturës, dhe votës së deputetit në seancë plenare. Deputetët ruajnë të drejtën të votojnë pro, kundër ose të abstenojnë, pavarësisht mbështetjes së dhënë më parë.

Një tjetër pretendim i opozitës lidhej me angazhimin e mëparshëm politik të Shabanit, i cili kishte qenë kryetar i partisë Nisma Thurje dhe anëtar i Këshillit Bashkiak të Tiranës.

Deputetët kërkues pretendonin se Shabani ndodhej në kushtet e papajtueshmërisë me funksionin e Avokatit të Popullit, pasi dorëheqjet e tij nga funksionet politike nuk kishin përfunduar të gjitha procedurat formale në momentin e kandidimit.

Por Gjykata Kushtetuese ka vlerësuar se momenti përcaktues për verifikimin e papajtueshmërisë është fillimi i ushtrimit të detyrës dhe jo periudha e kandidimit.

Shabani u zgjodh nga Kuvendi më 11 dhjetor 2025 dhe bëri betimin më 18 dhjetor. Sipas Gjykatës, nuk rezultoi e provuar që në momentin e marrjes së detyrës ai të ushtronte funksione të papajtueshme me postin e Avokatit të Popullit.

Kushtetuesja ka shqyrtuar gjithashtu pretendimet e opozitës se Shabani nuk përmbushte kriteret profesionale për këtë funksion, veçanërisht ato që lidhen me njohuritë dhe veprimtarinë në fushën e të drejtave të njeriut dhe të ligjit.

Në arsyetimin e saj, Gjykata ka theksuar se vlerësimi i meritës profesionale është kompetencë e Kuvendit, ndërsa kontrolli kushtetues synon të verifikojë nëse ky vlerësim është kryer në përputhje me kërkesat kushtetuese dhe pa arbitraritet.

Gjykata ka vlerësuar se nuk është provuar arbitraritet në shqyrtimin e kandidaturës së Shabanit nga Komisioni i Ligjeve.

Çështja u dërgua në Gjykatën Kushtetuese më 12 janar 2026 nga 44 deputetë, të cilët kërkuan verifikimin e zgjedhshmërisë dhe papajtueshmërisë së Shabanit, si dhe shfuqizimin e vendimit të Kuvendit.

Me rrëzimin e kërkesës, mbetet në fuqi vendimi parlamentar për zgjedhjen e Endrit Shabanit në detyrën e Avokatit të Popullit.

Lini një koment