Tuesday, 23 June 2026
54°F Detroit
BallinaShqiperiaKuvendi mbyll punimet të enjten, PD kërkon seancë plenare për mocion me debat mbi protestat

Kuvendi mbyll punimet të enjten, PD kërkon seancë plenare për mocion me debat mbi protestat

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike i ka kërkuar Kuvendit zhvillimin me urgjencë të një mocioni me debat në seancë plenare, duke argumentuar se protestat e vazhdueshme qytetare dhe çështjet që lidhen me transparencën e qeverisë kërkojnë një diskutim të menjëhershëm në Parlament.

Kërkesa, e firmosur nga kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, vjen në prag të mbylljes së punimeve të Kuvendit për këtë sesion parlamentar, e parashikuar të zhvillohet të enjten.

Demokratët argumentojnë se kërkesat e ngritura nga protestuesit në tubimet e fundit qytetare përbëjnë çështje me interes të lartë publik dhe duhet të marrin përgjigje institucionale përmes debatit parlamentar.

Sipas dokumentit të depozituar në Kuvend, protestuesit kanë artikuluar pesë kërkesa kryesore: dorëheqjen e qeverisë, shfuqizimin e kuadrit ligjor për investimet strategjike, anulimin e kuadrit ligjor të njohur si “Paketa e Maleve”, shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura dhe anulimin e ndryshimeve në ligjin për trashëgiminë kulturore shqiptare.

PD thekson se këto janë çështje që opozita i ka ngritur prej kohësh në Kuvend dhe për të cilat ka depozituar edhe nisma ligjore konkrete për shfuqizimin e akteve përkatëse.

Në kërkesën drejtuar Konferencës së Kryetarëve dhe drejtuesve të Kuvendit, demokratët nënvizojnë se debati parlamentar është i domosdoshëm për të garantuar transparencë dhe llogaridhënie përballë shqetësimeve të ngritura nga qytetarët.

Po ashtu, Partia Demokratike rikujton se më herët ka kërkuar zhvillimin e një mocioni me debat edhe mbi raportin e fundit të Parlamentit Europian dhe progresin e Shqipërisë në procesin e integrimit europian, duke vlerësuar se gjetjet dhe rekomandimet e raportit meritojnë një diskutim të posaçëm në Kuvend.

Lini një koment