Tuesday, 5 May 2026
54°F Detroit
BallinaShqiperiaLaçi shpallet kampion, mes tensioneve në Korçë.

Laçi shpallet kampion, mes tensioneve në Korçë.

Finalja e kategorisë së parë Skënderbeu-Laçi është shoqëruar mes tensionesh dhe protestash të shumta mes lojtarëve në fushë dhe tifozëve në tribunë. Ka qenë një ndeshje e luftuar fort mes të dyja skuadrave të cilat më parë kishin arritur të siguronin ngjitjen në kategorinë superiore dhe luftonin për të marrë kupën e titullit kampion të kategorisë së parë.

Ka qenë arbitri Florian Lata ai i cili mes një aksioni të dyshimtë në portën e laçjanëve vendosi të ndëshkonte me karton të kuq një futbollist të Skënderbeut duke çekuilibruar lojë. Pavarësisht kësaj ndeshja ishte barabartë deri në sekondat e fundit dhe kur pritej fërshëllima, teksa Skënderbeut i mjaftonte barazimi për tu shpallur kampion, ishte sulmi i fundit i laçjanëve përmes një korneje që ka tundur rrjetën e korçarëve dhe u ka “rrëmbyer” titullin kampion.

Pas golit protestat e korçarëve ishin të shumta pasi arbitri Lata kishte vendosur vetëm 5 minuta shtesë ndërsa pretendimet e korçarëve ishin se ndeshja duhej të ishte mbyllur pasi goli u shënua në minutën e 97″.

Në fund të ndeshjes presidenti i FSHF Armand Duka u dorëzoi kupën e titullit kampion laçjanëve ndërsa të shumta ishin forcat policore që ishin prezente në stadium, pasi ka pasur provokime mes tifozërive.

Skënderbeu dhe Laçi vitin tjetër do të luajnë në kategorinë superiore ndërsa Pogradeci është duke kërkuar të rikthehen në elitën e futbollit shqiptar nëpërmjet play off.

Lini një koment