Larne demanton Crvena Zvezdën: Flamuri “Kosova është Serbi” u largua menjëherë, klubi dënon mesazhet politike
Klubi nga Irlanda e Veriut, Larne FC, ka reaguar zyrtarisht pas incidentit të ndodhur në ndeshjen e Ligës së Kampionëve ndaj Crvena Zvezdës, ku në tribunat e stadiumit u shfaq një flamur me mbishkrimin provokues “Kosova është Serbi”.
Në deklaratën e publikuar një pas ndeshjes, Larne bëri të ditur se stafi i sigurisë ndërhyri menjëherë sapo flamuri u vu re gjatë pjesës së parë, duke e larguar atë nga tribuna.
Klubi sqaroi gjithashtu se personi që e vendosi flamurin nuk ishte tifoz i Larne FC, por një spektator neutral që kishte hyrë në sektorin vendas.
“Simbolet dhe shfaqjet politike nuk kanë vend në futboll”, thuhet në fund të deklaratës së klubit, duke riafirmuar qëndrimin e tij kundër përdorimit të futbollit për mesazhe politike.
Ndërkohë, Crvena Zvezda u përpoq ta paraqiste këtë si një shprehje mbështetjeje nga tifozët e Larne FC. Klubi serb publikoi në profilin e tij zyrtar në Instagram një fotografi të flamurit, duke krijuar përshtypjen se mesazhi përfaqësonte qëndrimin e tifozërisë vendase.
Megjithatë, reagimi zyrtar i Larne e hodhi poshtë këtë pretendim, duke sqaruar se flamuri u largua menjëherë dhe se autori i tij nuk kishte lidhje me klubin apo me grupet e tifozëve.
Veprimi i Crvena Zvezdës ka ngjallur reagime, pasi promovimi i mesazheve me përmbajtje politike bie ndesh me parimet e UEFA-s, e cila ndalon përdorimin e futbollit si platformë për propagandë apo shfaqje politike gjatë ndeshjeve evropiane.
Nuk është hera e parë që tifozë të klubit serb infiltrohen në sektorin e tifozëve të klubit kundërshtar në fushë dhe shfaqin mesazhe të tilla.
