E diel, 15 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›Lavrov ironizon BE-në: Treni po niset, Europa kërkon të kapë vagonin e fundit

Lavrov ironizon BE-në: Treni po niset, Europa kërkon të kapë vagonin e fundit

“Europianët e kuptojnë se treni po niset dhe duan të përpiqen të hipin në shkallët e vagonit të fundit”. Me këto fjalë, ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov, ka komentuar dëshirën e Bashkimit Europian për t’u përfshirë në negociatat për përfundimin e luftës në Ukrainë, në një deklaratë të raportuar nga agjencia ruse Tass, siç njofton Shqiptarja.com.

Sipas Lavrovit, qëndrimi i Moskës në negociata do të përcaktohet nga objektivat e asaj që Kremlini e quan “operacioni special ushtarak”. Këto objektiva, tha ai, janë vendosur nga presidenti Vladimir Putin në qershor të vitit 2024 dhe nuk kanë ndryshuar që atëherë, çka do të thotë se Rusia nuk ka ndërmend të heqë dorë nga synimet e saj në Ukrainë.

Deklaratat vijnë ndërsa Rusia dhe Ukraina kaluan një tjetër natë sulmesh me qindra dronë. Moska pretendon se ka rrëzuar 533 dronë ukrainas gjatë natës në një sërë rajonesh të vendit, mes tyre Belgorod, Briansk, Kursk, Rostov dhe Krasnodar, si dhe në Krime, ndërsa dronë u kapën edhe mbi Detin e Zi dhe Detin Azov.

Nga ana tjetër, Ukraina njoftoi se u sulmua me 132 dronë rusë, prej të cilëve 106 u rrëzuan ose u neutralizuan nga mbrojtja ajrore. Sipas Forcave Ajrore ukrainase, mes dronëve të përdorur nga Rusia ishin 78 Shahed me motor reaktiv dhe goditje u regjistruan në 20 zona të vendit; në Çornomorsk, në rajonin e Odesës, gjashtë persona mbetën të plagosur.

Lini një koment