LDK vendos sot për formën e bashkëpunimit me Vjosa Osmanin, afati për koalicione mbyllet pas dy ditësh
Mbeten ende dy ditë deri në përfundimin e afatit për zyrtarizimin e koalicioneve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Pas këtij afati do të konfirmohen strukturat dhe marrëveshjet që do të paraqiten për garë në zgjedhjet e 7 qershorit.
Pasdite do të mblidhet kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës për të vendosur mbi formën e bashkëpunimit me Vjosa Osmanin, sipas TV Klan. Vjosa Osmani është pyetur nëse do të garojë si presidente apo si deputete dhe ka mohuar që të ketë kërkuar katër vende në top 10-shen e listës së LDK-së.
Partia Demokratike e Kosovës ka përjashtuar mundësinë e një bashkëpunimi me Fatmir Limajn për këtë cikël zgjedhor. Ndërkaq, Partia Socialdemokrate ka nisur një iniciativë për mbledhjen e nënshkrimeve nga qytetarët, me qëllim të sigurojë pjesëmarrjen e saj në zgjedhjet e parakohshme.
Zgjedhjet e 7 qershorit u shpallën pas mosarritjes së një pajtueshmërie për emërimin e presidentit të ri brenda afateve kushtetuese; për këto zhvillime raporton TV Klan.