LETËRSI – Houellebecq nën hetim për deklarata kundër myslimanëve
PARIS, 10 nëntor /ATSH-AFP/ – Shkrimtari i njohur francez, Michel Houellebecq është vënë nën akuzë sot nga një gjyqtar hetues francez për bashkëpunim në nxitjen e diskriminimit, urrejtjes ose dhunës.
Në qendër të çështjes janë deklaratat e bëra ndaj myslimanëve, të publikuara në fund të nëntorit 2022 në revistën ”Front populaire” gjatë një interviste me filozofin Michel Onfray.
Në intervistë, autori i romanit “Nënshtrimi” i paraqiste myslimanët si një kërcënim për sigurinë e francezëve “autoktonë”.
“Dëshira e popullsisë franceze autoktone, siç thuhet, nuk është që myslimanët të asimilohen, por që të mos i vjedhin dhe të mos i sulmojnë më. Ose, zgjidhja tjetër, të largohen”, deklaronte Michel Houellebecq.
Ai parashikoi gjithashtu “Bataclan-ët e përmbysur” kundër myslimanëve në të ardhmen, duke iu referuar sulmeve xhihadiste të 13 nëntorit 2015.
Një padi u paraqit në janar 2023 në gjykatën e Nanterre (rajoni i Parisit) nga Unioni i Xhamive të Francës (UMF) kundër Michel Houellebecq, Michel Onfray dhe Stéphane Simon, drejtor i ”Front Populaire”.
“Michel Houellebecq kundërshton veprën penale për të cilën akuzohet. Deklaratat në fjalë nuk përmbajnë asnjë element këshille, madje as të nënkuptuara, dhe për këtë arsye bien nën mbrojtjen e lirisë së mendimit dhe shprehjes”, thanë avokatët e shkrimtarit, Thibault de Montbrial dhe Louis Cailliez.
“Një profet i fatkeqësisë nuk dëshiron fatkeqësi, përkundrazi. Vendi i tij nuk është në sallën e gjyqit”, argumentuan avokatët, duke shtuar se “Michel Houellebecq mund të dënojë vetëm legalizimin në rritje të debateve intelektuale”./ a.jor.