E premte, 27 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›LETONI- Dron i paidentifikuar futet në hapësirën ajrore të vendit

LETONI- Dron i paidentifikuar futet në hapësirën ajrore të vendit

RIGA, 27 nëntor /ATSH/ – Një dron i paidentifikuar ka shkelur për një kohë të shkurtër hapësirën ajrore të Letonisë në orët e para të ditës së sotme premtes, konfirmuan Forcat e Armatosura letoneze.

Ky veprim shënon një tjetër incident të këtij lloji në hapësirën ajrore të një vendi anëtar të Bashkimit Evropian dhe NATO-s.

Në përgjigje të incidentit, NATO aktivizoi avionët luftarakë, ndërsa në operacion u angazhua edhe një dron përgjues. Autoritetet lëshuan fillimisht një alarm për shkelje të hapësirës ajrore në komunën lindore të Ludzas, i cili u hoq pak më vonë. Më pas u aktivizua edhe një alarm me nivel më të ulët rreziku për komunën e Balvit, në veri të Ludzas, por edhe ky u anulua.

Incidenti ndodhi në një kohë kur rajoni rus i Leningradit po përballej me një sulm me dronë. Guvernatori rajonal, Alexander Drozdenko, deklaroi se mbi 40 mjete ajrore pa pilot ishin rrëzuar gjatë sulmit.

Shkelja e shkurtër e hapësirës ajrore letoneze vjen në një periudhë shqetësimesh në rritje se lufta në Ukrainë mund të përhapet përtej kufijve të saj. Kievi dhe Moska vazhdojnë të shkëmbejnë sulme të rregullta me raketa dhe dronë.

Vetëm pak ditë më parë, edhe Polonia akuzoi Moskën për shkelje të qëllimshme të hapësirës së saj ajrore, pasi një dron rus i përdorur për zbulim kaloi për një kohë të shkurtër kufirin polak.

Incidentet e fundit kanë shtuar vigjilencën e vendeve të NATO-s në krahun lindor të Aleancës, veçanërisht në shtetet kufitare me Rusinë dhe Bjellorusinë, ku zhvillimet e luftës në Ukrainë po rrisin shqetësimet për sigurinë rajonale.

Lini një koment