Letra me pluhur të bardhë të dyshimtë dërguar në zyrat e Kongresit dhe zyrat zgjedhore, FBI nis hetimin
Autoritetet federale në Shtetet e Bashkuara kanë nisur një hetim për një seri letrash me pluhur të bardhë të dyshimtë, të dërguara ditët e fundit në zyra të Kongresit në Capitol Hill dhe në zyra zgjedhore shtetërore në disa pjesë të vendit, vetëm rreth tri javë para zgjedhjeve të mesmandatit të 3 nëntorit, siç njofton Washington Examiner.
Në hetim janë përfshirë FBI-ja, Shërbimi i Inspektimit Postar dhe Policia e Kapitolit. Sipas një njoftimi të Zyrës së Sergeant at Arms të Senatit, të siguruar nga Politico, autoritetet po përpiqen t’i ndalin letrat e tjera përpara se të dorëzohen, ndonëse paralajmërohet se disa prej tyre mund të arrijnë megjithatë në destinacion. Një njoftim i veçantë për stafin e Dhomës së Përfaqësuesve përmendi shprehimisht pluhurin e bardhë të dyshimtë dhe kërkoi vigjilencë të shtuar gjatë trajtimit të postës, ndërsa FBI-ja konfirmoi se disa nga letrat përmbanin një substancë ende të panjohur dhe se po punohet për identifikimin e personave përgjegjës.
Një nga incidentet u regjistrua në Luiziana, ku një punonjës në zyrën e sekretarit të shtetit në Baton Rouge zbuloi pluhur të bardhë brenda një pakoje rreth orës 12:20. Si masë paraprake, Divizioni i Zgjedhjeve u evakuua, ndërsa sistemi i ajrit të kondicionuar u fik, për të shmangur çdo përhapje të mundshme të substancës në ambientet e zyrës.
Incidente të ngjashme u raportuan edhe në Oklahoma e në Ohio. Në Oklahoma, Bordi Shtetëror i Zgjedhjeve mori të martën një zarf që përmbante pluhur, çka solli evakuimin e zyrës dhe ndërhyrjen e Patrullës së Autostradave, zjarrfikësve dhe Gardës Kombëtare. Në Ohio, ndërkohë, shërbimi postar arriti të ndalojë përpara dorëzimit një pako me pluhur të bardhë drejtuar zyrës së sekretarit të shtetit, Frank LaRose, i cili dënoi kërcënimet dhe theksoi se ato nuk do t’i pengojnë përgatitjet për zgjedhjet.
Incidentet u dënuan bashkërisht edhe nga shoqatat kombëtare që përfaqësojnë sekretarët e shteteve dhe drejtorët e zgjedhjeve në SHBA. Në reagimin e tyre theksohet se njerëzit që administrojnë procesin zgjedhor nuk duhet të punojnë me frikë për sigurinë e tyre, në një kohë kur zyrat zgjedhore në mbarë vendin po bëjnë përgatitjet e fundit për votimin e 3 nëntorit.