Tuesday, 29 September 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Lëvizi me makinë në trotuar dhe e postoi në TikTok, gjobitet me 60 mijë lekë dhe i hiqet leja e qarkullimit shoferit në Berat

Lëvizi me makinë në trotuar dhe e postoi në TikTok, gjobitet me 60 mijë lekë dhe i hiqet leja e qarkullimit shoferit në Berat

Është ndëshkuar me 60 mijë lekë këtë të martë një qytetar në Berat, pasi me automjet ka lëvizur në trotuar duke rrezikuar këmbësorët dhe më pas e ka postuar videon në rrjetin social TikTok.

Sipas raportimeve të policisë, shkelësi i rregullave rrugore është I. L., të cilit i është hequr edhe leja e qarkullimit, pasi nga kontrolli i dokumentacionit të automjetit rezultoi pa kontroll teknik dhe pa siguracion.

Njoftimi i plotë i Policisë:

Pas publikimit në rrjetin social “TikTok”, të një videoje në të cilën shfaqej një automjet që lëvizte në trotuar, në një rrugë në qytetin e Beratit, duke rrezikuar jetën dhe sigurinë e qytetarëve, shërbimet e Policisë Rrugore të DVP Berat kryen veprimet hetimore për identifikimin e drejtuesit të automjetit.

Në përfundim të veprimeve, u identifikua drejtuesi i automjetit, shtetasi I. L., i cili u shoqërua në Komisariat, ku u kryen veprimet e mëtejshme procedurale.

Në përfundim, shtetasi I. L. u ndëshkua me masë administrative 60 000 lekë, si dhe iu tërhoq leja e qarkullimit, pasi nga kontrolli i dokumentacionit të automjetit, rezultoi pa kontroll teknik dhe pa siguracion.

Drejtoria Vendore e Policisë Berat falënderon qytetarët për kontributin e tyre në evidentimin e shkeljeve të rregullave të qarkullimit rrugor dhe i fton ata të vijojnë të denoncojnë çdo rast të paligjshmërisë, në numrin 112.

Lini një koment