Wednesday, 1 July 2026
54°F Detroit
BallinaShqiperiaLIVE-Dita e 32-të e marshimit, qytetarët mblidhen para Kryeministrisë. Njoftojnë nesër protestë para Parlamentit

LIVE-Dita e 32-të e marshimit, qytetarët mblidhen para Kryeministrisë. Njoftojnë nesër protestë para Parlamentit

Qytetarë të shumtë edhe këtë të mërkurë kanë nisur protestën e radhës para Kryeministrisë. Grumbullimi si zakonisht nisi në orën 19:00 teksa sot shënohet dita e 32 ditë që qytetarër dalin në protestë në kryeqytet.

Ata shihen me pankarta dhe flamuj në duar. Ashtu si në protestat e ditëve të mëparshme, protestuesit pas grumbullimit në sheshin “Skëndërbej” nisën marshimin drejt godinës së Kryeministrisë. Gjatë protestës ata shprehin kërkesat e tyre dhe më pas pritet të vijojnë me marshimin në rrugët e kryeqytetit.

Protestuesit kanë njoftuar se nesër do të zhvillojnë edhe një protestë tjetër para Parlamentit. Protesta do të nisë në orën 10:00 ku do të mbahet seanca plenare.

Të martën u zhvillua një protestë para Parlamentit ku u regjistruan disa incidente. Situata u tensionua ku pati përplasje fizike dhe hedhje të mjeteve piroteknike.

Punonjësit e policisë arrestuan disa persona për shkak të këtyre incidenteve. Gjithashtu protestuesit hodhën akuza dhe bënë thirrje kundër deputetëve. Ata hodhën edhe vezë në drejtim të mjeteve të tyre.

Pak ditë më parë, organizatorët bënë publike kërkesat e tyre kryesore, mes të cilave përfshihen dorëheqja e kryeministrit dhe e qeverisë, si dhe krijimi i një qeverie teknike tranzitore, jopartiake, me mandat 12-mujor.

Lajm në përditësim…

Protestuesit kanë njoftuar këtë të mërkurë se nesër do të zhvillojnë edhe një protestë tjetër para Parlamentit. Protesta do të nisë në orën 10:00 ku do të mbahet seanca plenare.

Ndërkohë këtë të mërkurë aktivistë, qytetarë dhe studentë shihen me flamuj të Shqipërisë në duar teksa brohorasin thirrjet e tyre kundër qeverisë dhe për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Ata vijojnë protestën në ditën e 32-të të saj.

Ka nisur marshimi i qytetarëve drejt Kryeministrisë teksa këtë të mërkurë shënohet dita e 32-të e protestës. Protestuesit shihen me pankarta dhe flamuj në duar teksa pavarësisht temperaturave të larta ata kanë vijuar marshimin e tyre.

Gjatë marshimit ata bëjnë thirrje për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Grumbullimi i protestuesve si çdo herë tjetër, ka nisur në orën 19:00 dhe pas disa minutash nisi marshimi.

Në protestë ka edhe prani të fëmijëve të mitur dhe të moshuar të cilët mbajnë në duar pankarta të ndryshme.

Edhe këtë të mërkurë, qytetarët kanë nisur të mblidhen për protestën e radhës e cila po vijon prej 32 ditësh në kryeqytet. Aktivistë dhe qytetarë kanë nisur të mblidhen në sheshin “Skënderbej” në orën 19:00.

Ata shihen me pankarta dhe flamuj në duar. Ashtu si në protestat e ditëve të mëparshme, protestuesit pritet të vijojnë marshimin drejt godinës së Kryeministrisë. Gjatë protestës ata do të shprehin kërkesat e tyre dhe më pas pritet të vijojnë me marshimin në rrugët e kryeqytetit.

Një libër i dorëzuar simbolikisht në SPAK është kthyer në qendër të debatit politik, pasi grupi i protestuesve që e dorëzoi kërkon që “The Albanian Files” të shërbejë si bazë për hetime ndaj kryeministrit Edi Rama.

Pas kësaj lëvizjeje, Rama ka reaguar në rrjetet sociale me një postim ironik, duke e quajtur botimin “Libri i mallkuar”. Ai tha se libri pritet të dalë edhe në treg, ndërsa nuk kurseu sarkazmën për mënyrën se si është përdorur në SPAK.

Sipas tij, rasti është i pazakontë, pasi një libër po trajtohet si element i një çështjeje penale. “LIBRI I MALLKUAR së shpejti në ‘Adrion’, pasi sapo hyri sot në histori si i pari libër, që trajtohet si provë krimi 80 vjet pas rënies së nazizmit dhe 35 vjet pas rënies së komunizmit”, shkroi ai.

Nga ana tjetër, protestuesit që dorëzuan dokumentin në Prokurorinë e Posaçme e paraqesin atë si një përmbledhje të 523 projekteve, ku sipas tyre evidentohen shkelje si mungesa e konsultimeve publike, konflikte interesi dhe favorizim i interesave private. Ata i kërkuan SPAK-ut të nisë hetimet dhe shprehën mbështetje për institucionin.

Kryeministri Edi Rama ka komentuar nga Landi i Renanisë Veriore-Vestfalisë në Gjermani protestën që po zhvillohet në Tiranë prej më shumë se një muaji, duke e cilësuar atë si një mesazh të rëndësishëm për qeverinë.

Gjatë fjalës së tij në forumin europian të inovacionit dhe sipërmarrjes “Ruhr Summit”, Rama u shpreh se shqetësimet e qytetarëve duhet të dëgjohen me kujdes dhe jo të reduktohen në statistika.

Ai theksoi gjithashtu se protesta është ndikuar nga faktorë të ndryshëm dhe se, sipas tij, në vijim të saj janë përfshirë edhe aktorë me qëllime të tjera, çka ka ndikuar në zhvillimin e tubimit.

“Disa javë më parë në vendin tim, shumë prej jush mund të keni dëgjuar për atë që u njoh ndërkombëtarisht si revolucioni i flamingove. Si kryeministër e konsideroj një mesazh të rëndësishëm për qeverisjen time, po mundohem ta dëgjoj me shumë kujdes, jo duke numëruar njerëzit në rrugë e duke matur hashtagët, por duke u përpjekur të kuptoj shqetësimet, hallet që i sollën njerëzit aty. Qeveria që resht së dëgjuari, resht së qeverisuri. Kemi jetuar në një kohë kur protestat nuk lejoheshin dhe erdhëm në një periudhë kur protestat u bënë të rrezikshme. Në të njëjtin bulevard ku flamingot festojnë lirinë, kishim njerëz që u vranë, protestues që humbën jetët jo shumë kohë më parë”, tha Rama.

Ashtu siç u paralajmërua një ditë më parë, një grup protestuesish janë mbledhur mëngjesin e sotëm përpara ambienteve të Strukturës së Posaçme Antikorrupsion, SPAK.

Në pamjet e siguruara, dëgjohet se si protestuesit po brohorasin në kor thirrje të tilla si “Rama, Rama, SPAK you”. Përmes këtij tubimi, qytetarët e pranishëm kanë vendosur të padisin publikisht atë që e quajnë “The Albanian Files”.

Sipas tyre, “Albanian Files” është libri që përmban projekte që synohet të ndërtohen në Shqipëri dhe kjo do të jetë dosja që do ta çojë kryeministrin Edi Rama në burg.

Aktivistja Sidorela Vatnikaj gjatë fjalës së saj tha se dorëheqja e kryeministrit është kërkesa e panegociueshme e tyre, ndërsa shprehën mbështetje të plotë ndaj SPAK për të hetuar kryeministrin.

“Ne qytetarë të Shqipërisë dhe protestues prej më shumë se 31 ditësh në shesh, jemi sot këtu për të sjellë prova që sipas nesh dëshmon shkeljet më të rënda të kryeministrit. Në këtë libër gjenden 523 projekte të ndryshme. Në këtë libër gjenden dhe mund të lexohen disa prej problemeve më të mëdha të kësaj qeverisjeje. Rama e ka shmangur konsultimin publik. Ligji 21/24 është ligj që është miratuar për shkak të projekteve të ndryshëm që gjenden në këtë libër vite përpara se të ndryshohej ligji. Në të ka pronarë që nuk kanë dijeni për ekzistencën e këtyre projekteve. Ka një konflikt interesi mes kryeministrit, arkitektëve dhe biznesmenëve të ftuar sepse Rama është kryetar i KKT dhe vendos për miratimin e këtyre projekteve. SPAK ka mbështetjen tonë për veprimet e deritanishme. Ne s’jemi këtu për drejtësi popullore, por për shtet të së drejtës ku kryeministri i vendit trajtohet dhe hetohet si gjithë qytetarët e tjerët”, u shpreh Vatnikaj.

Kryeministri Edi Rama ka ndarë këtë të mërkurë një video në rrjetin social Facebook lidhur me protestën që po zhvillohet në kryeqytet, e cila sot hyn në ditën e saj të 32-të. Ai ka shpërndarë një video nga lart, ku shihen dy realitete paralele në bulevard, nga njëra anë qytetarët që marshojnë me flamuj kuqezi dhe pankarta në duar, dhe nga ana tjetër një grup të rinjsh që luajnë basketboll të qetë.

“Dhe me këtë pamje europiane të Tiranës së lirive të barabarta e shijeve të ndryshme për kohën e lirë, ju uroj një ditë të paqtë,” shkruan Rama në postimin e tij.

Lini një koment