Tuesday, 18 August 2026
54°F Detroit
BallinaBotaLONDËR – Rusia paralajmëron BM-në për pasoja pas sulmeve me dronë

LONDËR – Rusia paralajmëron BM-në për pasoja pas sulmeve me dronë

LONDËR, 18 gusht /ATSH-DPA/ – Moska ka kërcënuar Bitaninë e Madhe me pasoja, pas raportimeve se dronë të prodhuar nga kompani britanike janë përdorur për herë të parë nga Ukraina në sulme ndaj objektivave në territorin e Rusisë.

Sipas “Sunday Times”, Ukraina ka përdorur dronë të prodhuar nga dy kompani britanike në kuadër të një fushate të ashtuquajtur të sulmeve në thellësi të territorit rus.

Kievi ka shtuar këtë vit sulmet ndaj Rusisë, duke përdorur raketa me rreze të gjatë veprimi dhe dhjetra dronë që synojnë gjithnjë e më shumë objektiva të industrisë ushtarake dhe infrastrukturës energjetike.

Në shënjestër kanë qenë edhe depot gjigante të “Wildberries”, kompanisë më të madhe ruse të shitjeve online, ku zjarret kanë shkatërruar mallra me vlerë prej miliarda paundësh dhe e kanë sjellë luftën më pranë publikut rus, më shumë se katër vjet pas pushtimit në shkallë të gjerë të Ukrainës nga Rusia.

Ambasada ruse në Britaninë e Madhe deklaroi të hënën se raportimet “konfirmojnë se Londra po zgjedh qëllimisht përshkallëzimin e krizës në Ukrainë” dhe akuzoi Britaninë se “kërkon të frenojë Rusinë dhe t’i shkaktojë asaj dëme maksimale përmes një pale të tretë”.

“Veprimet e Londrës do të sjellin në mënyrë të pashmangshme pasoja, për të cilat ajo do të duhet të përgjigjet”, thuhet në deklaratë.

“Sa më e thellë të jetë përfshirja e saj në konflikt dhe sa më e madhe mbështetja që i jep Kievit dhe mekanizmit të tij terrorist, aq më i lartë do të jetë çmimi që do të paguajë”, shtoi ambasada ruse./ /Ad.Ab./ a.jor.

Lini një koment