LOS ANXHELES – Prona luksoze e Will Smith përfshihet nga një zjarr i madh
– Një zjarr i madh ka përfshirë pronën e aktorit amerikan, Will Smith në Calabasas të Kalifornisë, e cila ka një vlerë prej rreth 42 milionë dollarësh, sipas “New York Post”.
Zjarri shpërtheu në orët e para të mëngjesit, në një ndërtesë të vogël ndihmëse në pronën prej rreth 150 hektarësh. Sipas burimeve, telefonata për ngjarjen u bë rreth mesnatës.
Departamenti i Sherifit të Los Anxhelesit, konfirmoi se zjarri ishte shuar.
Në vendngjarje u panë disa automjete të emergjencës, ndërsa pamjet filmike tregonin tym të dendur që ngrihej mbi pronë.
Përfaqësuesi i aktorit nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës së medias për koment.
Kjo nuk është hera e parë që prona përballet me zjarr.
Në vitin 2021, një tjetër zjarr shpërtheu në bodrumin e banesës, duke bërë të nevojshme rinovimin e saj.
Në atë kohë, një burim pranë familjes konfirmoi se të gjithë anëtarët e saj ishin mirë, ndërsa një zjarrfikës kishte marrë trajtim mjekësor.
Edhe në vitin 2018, Will Smith ka shprehur shqetësim për sigurinë e banesës, kur zjarri i madh “Woolsey” përfshiu zona të Kalifornisë Jugore dhe kërcënoi disa prona të personazheve të njohur.
Aktori dhe bashkëshortja e tij, Jada Pinkett Smith, e blenë tokën në vitin 2003.
Ndërtimi i rezidencës, e cila ka gjashtë dhoma gjumi dhe 13 banja, përfundoi në vitin 2010.
Një vit më vonë, çifti e nxori pronën në shitje për 42 milionë dollarë, por më pas vendosi ta mbante.
Ngjarja është ende në zhvillim dhe priten më shumë informacione për dëmet e shkaktuara nga zjarri. /