Monday, 31 August 2026
54°F Detroit
BallinaLajme nga ShqiperiaLufta me flakët në dy fronte, Dajt dhe Dibër! Ministria e Mbrojtjes: Sot 10 vatra zjarri, 5 janë ende aktive, s’ka rrezik

Lufta me flakët në dy fronte, Dajt dhe Dibër! Ministria e Mbrojtjes: Sot 10 vatra zjarri, 5 janë ende aktive, s’ka rrezik

Zjarret vijojnë të djegin sipërfaqe me pyje e bimësi në territorin e Shqipërisë.

Ministria e Mbrojtjes ka përditësuar edhe situatën më të fundit të zjarreve në vend, duke raportuar 10 vatra të evidentuara në territor deri në orën 14:00 të 31 gushtit.

Nga këto, 5 vijojnë të jenë aktive, 4 janë nën mbikëqyrje, ndërsa një vatër është shuar plotësisht.

Situata më e ngarkuar paraqitet në qarkun Dibër, ku zjarret vijojnë në Vajkal, Lundre, Ballenjë dhe në aksin Bershi–Kurdari–Patinë.

Në Lundër, për shkak të erës dhe sipërfaqes së madhe pyjore, janë angazhuar 20 efektivë të Forcave të Armatosura dhe një helikopter i Forcës Ajrore. Sipas Ministrisë, aktualisht nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Në Vajkal po punojnë 20 forca të MZSH-së dhe 20 efektivë të FA-së, ndërsa në Ballenjë zjarri vijon në një zonë pyjore të mbrojtur.

Ndërkohë, operacioni për shuarjen e flakëve vijon edhe në Dajt, në drejtim të Qafë-Priskës, ku janë angazhuar 15 zjarrfikës, 9 forca të AdZM-së dhe 20 efektivë të Forcave të Armatosura. Edhe në këtë zonë nuk raportohet rrezik për banesat.

Në qarkun e Korçës, zjarri në Qafën e Lugut është vendosur nën kontroll.

Në Elbasan, situata është përmirësuar. Zjarri në malin e Dardhës është shuar plotësisht, ndërsa në malin e Qukësit vijon monitorimi i zonës.

‘Në operacionet kundër zjarreve janë angazhuar gjithsej rreth 70 efektivë ushtarakë dhe një helikopter i Forcës Ajrore. Ministria e Mbrojtjes bën me dije se situata po monitorohet në vazhdimësi dhe, sipas të dhënave të fundit, nuk ka zona të banuara në rrezik’, njofton ministria.

Lini një koment