Mahmut Orhan zbarkon në Drimadhes, DJ-i i famshëm sjell ritmet e muzikës elektronike
Shqipëria është kthyer në një nga destinacionet më të kërkuara të verës, jo vetëm për plazhet dhe jetën e natës, por edhe për emrat ndërkombëtarë që zgjedhin rivierën shqiptare për performancat e tyre.
Siç beri te ditur dhe ministri i Turizmit, Kultures dhe Sportit, Blendi Gonxhja, më 15 gusht, radha do të jetë e një prej emrave më të njohur të skenës elektronike ndërkombëtare, Mahmut Orhan, i cili do të performojë në MOYO Drymades, në një nga netët që pritet të jetë ndër më të komentuarat e kësaj vere. Eventi nis në orën 20:00 dhe vijon deri në orët e para të mëngjesit.
I lindur në Bursa të Turqisë në vitin 1993, Mahmut Orhan është DJ, producent dhe muzikant, i njohur për një stil që ndërthur deep house, nu-disco, indie dance dhe elemente muzikore orientale. Ai nisi të merrej me muzikë që në moshë të re dhe ndërtoi gradualisht një karrierë ndërkombëtare, duke kaluar nga klubet lokale në skenat e mëdha të muzikës elektronike.
Një nga momentet që e vendosi Orhanin në qendër të vëmendjes ndërkombëtare ishte hiti “Feel”, në bashkëpunim me këngëtaren Sena Şener. Kënga u shndërrua në një sukses të madh në disa tregje europiane dhe e ndihmoi artistin të konsolidohej si një nga emrat më të veçantë të skenës elektronike.
Në repertorin e tij janë edhe projekte si “6 Days”, “Age of Emotions”, “Save Me” dhe bashkëpunime me artistë të ndryshëm ndërkombëtarë. Muzika e tij karakterizohet nga kombinimi i ritmeve moderne elektronike me tinguj dhe instrumente që sjellin një identitet të dallueshëm mes Lindjes dhe Perëndimit.
Performanca në MOYO vjen në kulmin e sezonit turistik dhe pritet të tërheqë jo vetëm pushuesit që ndodhen në jug të Shqipërisë, por edhe ndjekës të muzikës elektronike që do të udhëtojnë drejt rivierës posaçërisht për eventin.