Maksim Et’hemaj largohet nga Aviacioni Civil, Dritan Isaku emërohet në vend të tij, Viola Haxhiademi dorëhiqet nga KESH
Maksim Et’hemaj është larguar nga drejtimi i Autoritetit të Aviacionit Civil, institucion të cilin e drejtonte që nga fundi i vitit 2021, siç njofton Shqiptarja.com. Në vend të tij është emëruar Dritan Isaku, i cili më parë drejtonte Albcontrol-in.
Nga drejtimi i Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) është larguar gjithashtu Viola Haxhiademi. Dorëheqjet vijnë pas urdhrit të kryeministrit Edi Rama, i cili u kërkoi drejtuesve të 132 institucioneve të largohen nga detyra.
Emrat e Haxhiademit dhe të Et’hemajt dalin edhe në dosjen e Belinda Ballukut. Sipas dosjes së SPAK-ut, në telefonin e ish-drejtorit hetuesit gjetën një grup WhatsApp-i të krijuar në qershor të vitit 2019 nga Balluku, me titullin “Dhërmi”.
Në atë grup, sipas dosjes, bënin pjesë Belinda Balluku, Viola Haxhiademi, Matilda Kërçaku, Maksim Ethemaj dhe Alketa Pano, të gjithë persona që kanë njësi banimi në kompleksin “White Rocks”.