Manastiri i Zvërnecit feston Fjetjen e Shën Mërisë, besimtarët mblidhen në pelegrinazhin tradicional
Manastiri “Fjetja e Shën Mërisë” në Zvërnec feston sot një nga ditët më të rëndësishme të kalendarit ortodoks. 14 dhe 15 gushti janë ditë të veçanta për Zvërnecin dhe për besimtarët ortodoksë, të cilët çdo vit mblidhen në manastir për të nderuar Shën Mërinë dhe për të marrë pjesë në shërbesat fetare.
Sipas traditës, mbrëmjen e 14 gushtit besimtarët mbërrijnë në ishull, ndezin qirinj, luten dhe presin së bashku ditën e 15 gushtit. Shumë prej tyre qëndrojnë gjatë natës në Zvërnec, duke e kthyer këtë kremtim në një nga pelegrinazhet më të veçanta fetare të Vlorës.
15 gushti është dita kulmore, kur kremtohet Fjetja e Hyjlindëses Mari, e njohur në traditën shqiptare edhe si “Pashka e Verës”. Në këtë ditë zhvillohet Liturgjia Hyjnore dhe pelegrinazhi i besimtarëve.
Një tjetër element tradicional i kësaj feste është dafina. Besimtarët marrin degë dafine për t’i çuar në shtëpitë e tyre, si simbol i bekimit, paqes dhe mbarësisë.
Për besimtarët, këto ditë janë mbi të gjitha një moment lutjeje për shëndet, paqe, familjen dhe mbarësi.
“14 dhe 15 gushti janë ditë të shenjta dhe shumë të rëndësishme për besimtarët. Këtu në Manastirin e Zvërnecit, njerëzit vijnë për t’u lutur, për të ndezur një qiri dhe për të kërkuar bekimin e Shën Mërisë. Është një traditë që përcillet ndër breza dhe që bashkon besimtarët në këtë vend të shenjtë”, është shprehur AT JANI TEREZIU.
Festa e Fjetjes së Shën Mërisë në Zvërnec vijon të mbetet një nga momentet më të rëndësishme të jetës shpirtërore dhe traditës fetare në Vlorë, duke sjellë çdo vit qindra besimtarë në ishullin e Zvërnecit.