E hënë, 23 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›MANÇESTER – Substancë e panjohur në koncert, evakuohen 12 mijë persona dhe 51 të tjerë marrin ndihmë mjekësore

MANÇESTER – Substancë e panjohur në koncert, evakuohen 12 mijë persona dhe 51 të tjerë marrin ndihmë mjekësore

– Mbi 12 mijë persona u evakuuan nga një koncert në arenën “Co-op Live” në Mançester të Britanisë së Madhe, pas përhapjes së një substance të panjohur në ajër, e cila shkaktoi shqetësime shëndetësore te disa pjesëmarrës, sipas “Reuters”.

Ngjarja ndodhi dje në mbrëmje, drejt fundit të koncertit të reperit amerikan, Don Toliver.

Policia e Mançesterit u njoftua pas orës 22:00, pasi disa persona në turmë shfaqën shenja shqetësimi pas ekspozimit ndaj substancës.

Fillimisht, policia dyshoi se bëhej fjalë për gaz lotsjellës, por në njoftimet e mëvonshme iu referua asaj si një substancë e panjohur, identiteti i së cilës ende nuk është përcaktuar.

Sipas Shërbimit të Ambulancës së Veriperëndimit të Anglisë, më shumë se 50 persona u kontrolluan dhe morën ndihmë mjekësore në vendngjarje. Disa prej tyre raportuan probleme me sytë dhe frymëmarrjen.

Një person u transportua në “Spitalin Mbretëror të Mançesterit” për ekzaminime të mëtejshme.

Autoritetet theksuan se deri në atë moment nuk ishin raportuar dëmtime të rënda.

Si masë paraprake, në vendngjarje nisën edhe procedurat e dekontaminimit, për të larguar çdo gjurmë të mundshme të substancës nga personat dhe zona e prekur.

Policia e klasifikoi ngjarjen si emergjencë, duke angazhuar disa shërbime për menaxhimin e situatës, duke mundësuar koordinimin e shërbimeve të emergjencës, zjarrfikësve dhe ekipeve të specializuara për trajtimin e rasteve me materiale të rrezikshme.

Ndihmësdrejtoresha e policisë së Mançesterit, Steph Parker, deklaroi se më shumë se 12 mijë pjesëmarrës u shoqëruan në mënyrë të sigurt jashtë arenës.

Ajo tha se përparësi ishte garantimi i sigurisë së të gjithë personave të pranishëm dhe se hetimet do të përcaktojnë se çfarë substance u përhap dhe si ndodhi incidenti.

Policia u bëri thirrje personave që kishin marrë pjesë në koncert dhe që më pas shfaqnin shqetësime shëndetësore, të kërkonin ndihmë mjekësore.

Ndërkohë, drejtuesit e arenës “Co-op Live” bënë të ditur se po bashkëpunojnë me policinë për të zbardhur shkaqet e ngjarjes.

Ngjarja shkaktoi shqetësim mes pjesëmarrësve, ndërsa pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregonin njerëz që kolliteshin dhe mbulonin gojën gjatë largimit nga salla.

Autoritetet britanike vijojnë hetimet për të identifikuar substancën dhe për të përcaktuar personat përgjegjës për përhapjen e saj.

Deri tani nuk është konfirmuar nëse bëhej fjalë për gaz lotsjellës apo për një lëndë tjetër. /

Lini një koment