Maratona e Tiranës, Luiza Gega fiton garën prej 42 kilometrash dhe çmimin prej 5 mijë eurosh
Kampionia Luiza Gega është fituesja e garës prej 42 kilometrash të Maratonës së Tiranës, siç njofton Shqiptarja.com. Ajo mbërriti e para në vijën e finishit, mes thirrjeve e brohorimave, duke kurorëzuar me fitore pjesëmarrjen e saj në edicionin e dhjetë të maratonës.
Për fitoren e saj, Gega mori çmimin e madh prej 5 mijë eurosh.
Maratona e Tiranës zhvilloi edicionin e saj të dhjetë, me rreth 5.800 garues nga rreth 40 shtete. Risia e këtij edicioni ishte gara prej 5 kilometrash, e organizuar për përfshirjen e më shumë qytetarëve.
Për organizimin e maratonës u angazhuan prej gjashtë muajsh rreth 600 vullnetarë, 800 punonjës policie dhe 500 punonjës të Bashkisë së Tiranës. Maratona nisi në orën 08:00, ndërsa një pjesë e rrugëve të kryeqytetit mbetën të bllokuara deri në orën 16:00.