Maratona në Parkun Arkeologjik të Antigonesë, promovim i trashëgimisë dhe turizmit
Parku Kombëtar Arkeologjik “Antigonea” mirëpriti pjesëmarrësit e “Ultra4Charity – Mountain Race”, të cilët përshkuan zonën si dhe peizazhet e luginës së Drinos.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, tha se aktiviteti sportiv promovoi njëkohësisht edhe trashëgiminë kulturore dhe potencialin turistik të zonës.
Ultra4Charity është një organizatë që organizon gara dhe aventura sportive, veçanërisht ultramaratona në vende të ndryshme të botës, me qëllim mbledhjen e fondeve për bamirësi. Organizata është themeluar nga tre ish-ushtarakë britanikë. Paratë e mbledhura përmes pjesëmarrjes dhe donacioneve shkojnë për organizata bamirësie.
Aktiviteti i këtij viti përfshiu vargmalin bregdetar në qarkun e Vlorës. Zona karakterizohet nga përrenj të thatë dhe humnera të thella, ndërsa bimësia e rrallë dominohet nga pishat dhe halorë të tjerë.
Një prej pikave kulmore të garës ishte Parku Arkeologjik i Antigonesë, ndërsa në përfundim të saj pjesëmarrësit shijuan një pamje mbresëlënëse të detit Jon dhe ishullit të Korfuzit, përtej ngushticës detare.
Në garën e zhvilluar në vendin tonë, pjesëmarrësit mund të zgjidhnin mes tri distancave: 100 km, e cila përshkohej në dy ditë, si dhe distancave 50 km dhe 25 km, që përshkoheshin brenda një dite. Të gjitha distancat ishin të përshtatshme si për vrapuesit, ashtu edhe për ata që preferuan ecjen.