Marok, protesta ndërkombëtare kundër vrasjes së qenve endacakë, thirrje FIFA-s të ndërhyjë
MAROK, 16 nëntor, ATSH/
Aktivistë dhe organizata për mbrojtjen e kafshëve në disa vende të botës do të protestojnë më 17 nëntor kundër vrasjes së qenve endacakë në Marok, në prag të organizimit të Kupës së Botës 2030.
Mobilizimi ndërkombëtar, i koordinuar nga International Animal Welfare Protection Coalition (IAWPC), synon t’u bëjë thirrje autoriteteve marokene të ndalin eliminimin e kafshëve, ndërsa FIFA-s i kërkohet të ndërhyjë për të garantuar respektimin e angazhimeve të marra nga vendi organizator.
Sipas IAWPC-së, në Marok vijojnë operacionet për kapjen dhe eliminimin e qenve që jetojnë në rrugë, përfshirë edhe kafshë për të cilat kujdesen komunitetet lokale apo që kanë familje. Aktivistët denoncojnë se kafshët vriten me armë zjarri, helmohen ose kapen dhe dërgohen në struktura ku më pas eliminohen.
Koalicioni paralajmëron se, nëse nuk ndërhyhet, numri i përgjithshëm i qenve të vrarë mund të arrijë deri në tre milionë.
Organizatat thonë se kanë mbledhur dëshmi, pamje filmike dhe dokumente për raste eliminimi të kafshëve edhe gjatë vitit 2026, ndër të cilat përmenden episodet në qytetet Kenitra, Tinghir dhe Jerada.
Vrasja e qenve endacakë në Marok nuk është një fenomen i ri dhe i paraprin caktimit të vendit si organizator i Botërorit. Në vitin 2018, rastet e vrasjeve masive në Taghazout, në bregdetin Atlantik, shkaktuan reagime të forta nga qytetarët dhe turistët, të cilët u mobilizuan për të mbrojtur kafshët.
Çështja lidhet edhe me angazhimet e vetë Marokut. Në raportin e vlerësimit të kandidaturës, të publikuar nga FIFA në nëntor 2024, pasqyroheshin deklaratat e autoriteteve marokene se vrasja e kafshëve ishte ndaluar që në gusht të po atij viti. Gjithashtu, parashikohej vënia në dispozicion e burimeve të reja për klinikat veterinare dhe programet e menaxhimit të qenve endacakë.
Megjithatë, sipas koalicionit, rastet e dokumentuara edhe gjatë periudhës së fundit tregojnë se këto angazhime nuk janë respektuar.
Në janar 2025, edhe primatologia e njohur britanike Jane Goodall iu drejtua drejtpërdrejt FIFA-s, duke i kërkuar të ndërhynte për të ndaluar vrasjen e qenve endacakë në Marok. Goodall, e cila ndërroi jetë në tetor 2025, ishte një nga zërat e njohur ndërkombëtarë që ngritën këtë shqetësim.
Për këtë arsye, IAWPC i kërkon FIFA-s dhe veçanërisht presidentit të saj, Gianni Infantino, të ushtrojnë presion konkret mbi qeverinë marokene.
Debati është intensifikuar edhe pas hyrjes në fuqi, në gusht, të ligjit 19.25 për menaxhimin e kafshëve endacake. Ligji parashikon krijimin e qendrave të strehimit, vaksinimin dhe sterilizimin, por përmban edhe kufizime për kujdesin spontan që qytetarët u ofrojnë kafshëve në rrugë. Organizatat vendase për mbrojtjen e kafshëve kanë shprehur shqetësim për kufizimin e mundësisë për t’i ushqyer, kuruar dhe mbrojtur ato.
Në vend të eliminimit të kafshëve, organizatat kërkojnë zbatimin e programeve kombëtare të kapjes, sterilizimit, vaksinimit dhe rikthimit të qenve në territorin ku jetojnë, të shoqëruara me fushata ndërgjegjësimi dhe nxitjen e kujdesit të përgjegjshëm.
Kjo qasje mbështetet edhe nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), e cila e konsideron vaksinimin masiv të qenve një nga mjetet më efektive për parandalimin e tërbimit. Sipas OBSH-së, eliminimi pa dallim i qenve është joefektiv dhe mund të ketë edhe efekte kundërprodhuese.
“Vuajtja e qenve në Marok kërkon një përgjigje ndërkombëtare”, deklarojnë organizatat italiane që i janë bashkuar protestës, duke kërkuar investime konkrete në sterilizimin, vaksinimin dhe mbrojtjen e qenve që jetojnë në komunitetet lokale.
Mobilizimi i 17 nëntorit synon të përfshijë përfaqësitë diplomatike marokene dhe të rikthejë vëmendjen te përgjegjësia e FIFA-s, si dhe te nevoja për të trajtuar menaxhimin e qenve endacakë përmes ndërhyrjeve të bazuara në të dhëna shkencore, efektive dhe në respektimin e mirëqenies së kafshëve.