Mashtroi dy të moshuar për 300 mijë euro duke pretenduar se kishte lidhje me Berlusconin, dënohet 41-vjeçarja në Itali
Një grua 41-vjeçare në Verona të Italisë është dënuar me katër vjet e nëntë muaj burg për mashtrimin e dy personave të moshuar, nga të cilët ka përfituar rreth 340 mijë euro. Sipas hetimeve, mashtrimi kryesor ka zgjatur nga viti 2020 deri në vitin 2025.
Gruaja, e identifikuar me inicialet KD, kishte bindur një 79-vjeçar nga Illasi, të cilit i ishte caktuar një administrator mbështetës, se ishte investitore në kompaninë Poste Italiane dhe kishte kontakte me figura të njohura politike, përfshirë ish-kryeministrin Silvio Berlusconi.
Për ta bindur se investimi ishte i sigurt, 41-vjeçarja i tregonte të moshuarit biseda të manipuluara në WhatsApp, ku pretendonte se komunikonte me persona të rëndësishëm politikë dhe institucionalë.
Gjatë pesë viteve, burri i moshuar i kishte dhënë asaj rreth 300 mijë euro, me bindjen se paratë po investoheshin. Në të vërtetë, ato përdoreshin nga gruaja për lojëra fati, baste dhe shlyerjen e borxheve.
Sipas aktakuzës, 79-vjeçari, për të përballuar kërkesat e vazhdueshme për para, kishte marrë edhe kredi bankare, si dhe kishte kërkuar ndihmë financiare nga të afërmit, miqtë dhe të njohurit. Si pasojë, ai kishte përfunduar në një gjendje të rënduar ankthi dhe frike.
Në një tjetër rast, gruaja kishte mashtruar edhe një grua të moshuar, duke i marrë rreth 40 mijë euro. Edhe këto para ishin përdorur për bixhoz dhe shlyerjen e borxheve.
Sipas mediave italiane, 41-vjeçarja, e cila ishte në arrest shtëpiak prej më shumë se një viti, u deklarua fajtore para gjyqtarit Enrico Zuccon dhe u dënua me katër vjet e nëntë muaj burg. Ajo thuhet se kishte varësi nga bixhozi.