Mbështetje për fëmijët e familjeve me asistencë sociale – Hapet thirrja për Programin e Kuponëve për kopshte
Ministria e Arsimit dhe Shkencës, ka hapur thirrjen për aplikim në Programin e Kuponëve për familjet përfituese të Skemës së Asistencës Sociale që kanë fëmijë të moshës 3-6 vjeç dhe të cilat banojnë në Vushtrri, Gjilan, Prishtinë, Pejë, Drenas, Lipjan, Ferizaj, Shtime, Viti, Fushë Kosovë, Suharekë, Gjakovë, Graçanicë, Mitrovicë, Klinë, Prizren, Obiliq dhe Podujevë.
MASH njofton se programi mundëson vijimin e edukimit në kopshte private dhe publiko-private të licencuara, sipas zgjedhjes së familjes, me pagesë të mbuluar plotësisht dhe pa kosto për prindërit. Mbështetja mbulon të gjithë ciklin e edukimit në fëmijërinë e hershme, sipas kushteve të programit.
“Për fëmijët që banojnë larg kopshtit të përzgjedhur, parashihet edhe mbështetje për transport, aty ku plotësohen kriteret e thirrjes.
Familja duhet të jetë përfituese e asistencës sociale, ndërsa fëmija duhet të plotësojë kriterin e moshës dhe të ketë vendbanimin në komunën ku aplikon për të vijuar kopshtin. Aplikimi mund të bëhet edhe para se fëmija të ketë mbushur moshën 3 apo 6 vjeç, duke filluar nga 2 vjeç e 6 muaj deri në moshën 5 vjeç e 6 muaj.
Me kusht që vijimin në kopsht ta nis në moshën 3-vjeçare dhe ta përfundoj kur fëmija fillon edukimin e detyrueshëm parafillor apo fillor në një institucion publik arsimor. Kriteret e hollësishme janë të përcaktuara në thirrjen e plotë të cilën mund ta gjeni në linçet më poshtë”, thuhet tutje.
Ministria njofton se pjesëmarrja në Programin e Kuponëve nuk ndikon në përfitimet nga Skema e Asistencës Sociale.
“Familjet që tashmë përfitojnë nga programi dhe familjet që kanë përfituar nga ky program gjatë vitit shkollor 2025/26, fëmijët e të cilëve tani i takojnë grupmoshës 5-6 vjeç dhe që nuk kanë filluar edukimin e detyrueshëm parafillor në një institucion publik arsimor, duhet të riaplikojnë për vazhdimin e mbështetjes.
Konfirmimi dhe përditësimi i të dhënave dhe dokumentacionit janë të domosdoshëm dhe bëhen në të njëjtën vegëz në e-Kosova. Këto familje nuk i nënshtrohen sërish përzgjedhjes së rastësishme; mbështetja vazhdon automatikisht për sa kohë që plotësojnë kushtet e programit”, thuhet në njoftim.
Afati për aplikim: nga 19.11.2026 deri më 10.12.2026. Aplikimi bëhet nga prindi ose kujdestari ligjor përmes platformës e-Kosova: https: https://rks-gov.net/596
Për ndihmë gjatë aplikimit, drejtohuni te Qendra për Punë Sociale në komunën tuaj.
Thirrja e plotë dhe kriteret për aplikim: https://mash.rks-gov.net/…/19.11.2026_Thirrja-per…
https://mash.rks-gov.net/…/19.11.2026_Thirrja-per…
Për informata shtesë: 038 200 65048 ose programiikuponave@rks-gov.net.