Friday, 26 June 2026
54°F Detroit
BallinaShqiperiaMbetën të bllokuara te “Shpella e Pëllumbasit”, shpëtohen dy turistet holandeze

Mbetën të bllokuara te “Shpella e Pëllumbasit”, shpëtohen dy turistet holandeze

Dy turistë nga Holanda janë shpëtuar pas një operacioni kërkim-shpëtimi të zhvilluar në zonën e Shpellës së Pëllumbasit, në fshatin Pëllumbas, ku njëra prej tyre mbeti e lënduar si pasojë e një rrëzimi.

Sipas Policisë, menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, në bashkëpunim me Policinë Alpine të Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Tiranë, organizuan operacionin për lokalizimin dhe nxjerrjen e dy turisteve, të cilat kishin mbetur të bllokuara në një terren të vështirë gjatë eksplorimit të natyrës.

Pas lokalizimit të tyre, efektivët e Policisë u dhanë ndihmën e parë turistes së dëmtuar dhe, në bashkëpunim me shërbimin e ambulancës, e transportuan drejt Spitalit të Traumës për trajtim mjekësor. Ndërkohë, turistja tjetër u shoqërua në një zonë të sigurt.

Dy turistet falënderuan shërbimet e Policisë dhe strukturat mbështetëse për reagimin e shpejtë, profesionalizmin dhe ndihmën e ofruar gjatë operacionit.

Policia e Shtetit apelon ndaj qytetarëve dhe turistëve që, për çdo situatë emergjente apo problematikë, të telefonojnë në numrin pa pagesë 112.

Lini një koment