“Më kanë përgatitur skenarin e vrasjes”, Laçi: Më ofruan miliona euro që të mos dëshmoj kundër Berishës
Paro Laçi, dëshmitar kyç në gjyqin e aferës ‘Partizani’, me të pandehur edhe Sali Berishën e dhëndrin e tij Malltezi për korrupsion e pastrim parash, thotë se ka marrë mbrojtje ndërkombëtare nga Zvicra, ku po vijon procedurat e azilit politik, për shkak se në Shqipëri i rrezikohet jeta nga Berisha dhe familja e tij.
Dy ditë pasi në GJKKO u shqyrtua kërkesa e tij për t’u futur në listën e dëshmitarëve të mbrojtur, ish presidenti i klubit Partizani, në një intervistë ekskluzive për Report Tv denoncon se është kërcënuar edhe kohët e fundit me jetë nga ish kryeministri dhe ato që i cilëson si bandat e tij kriminale.
“Në celularin tim kanë mbërritur edhe telefonata, edhe mesazhe. Unë nuk i njoh personat. Dikush nga policia, dikush nga shteti, dikush si mik. Dikush që më ka thënë: ‘Hiq dorë, sepse edhe familja jote nuk të mbështet’. Më është bërë presion deri aty sa më kanë thënë se do të më eliminojnë fizikisht, do të më vrasin. Ma kanë dhënë edhe skemën si do më vrasin. Do krijojnë një debat të paqenë, dhe unë do vritem si larje hesapesh. Këtë e kam deponuar edhe në shtetin zviceran. Se po të vritem se po luftoj për çështjen “Partizani”, për mua vdes nesër”, deklaroi Laçi në emisionin ‘Frontline” të gazetares Marsela Karapanço.
Jamarbër Malltezi i ka ofruar miliona euro për të mbyllur gojën, thotë Paro Laçi.
“Po të dojë të dalë përballë meje, të thotë shumën që ka kërkuar të më paguajë që të mbyll gojën. Të tregojë publikisht shumën me të cilën do të më blejë që unë të mos flas. Sepse unë do të flas. Do të flas nëpërmjet avokatit tim. Kam pretendimet e mia. Flasim për një shumë prej miliona eurosh”, tha ish presidenti i klubit Partizani.
Megjithatë Laçi thotë se nuk frikësohet dhe se dëshminë e tij do ta japë për të dhënë më në fund drejtësi për një prej aferave më të mëdha korruptive, atë të privatizimit të ish klubit Partizani, ku SPAK thotë se familja Berisha përfitoi miliona euro.
“Ne do t’i drejtohemi Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që ta mbikëqyrë këtë proces. Me mbikëqyrje kuptojmë që përfaqësuesit e saj të jenë të pranishëm në sallën e gjyqit dhe të shohin vetë çfarë po ndodh. Ne nuk do ta pranonim kurrë një pafajësi”, tha ndër të tjera ai.
Në seancën e së mërkurës, GJKKO vendosi që dëshmia e Paro Laçit të merret përmes letërporosisë në shtetin zviceran.
Togat e zeza i thanë se nuk e kanë ata kompetencën për ta futur në listën e dëshmitarëve të mbrojtur, por kjo i takon Prokurorisë së Posaçme.
Paro Laçi është një dëshmitar i vyer i Prokurorisë së Posaçme në procesin kundër Sali Berishës, dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi, të akuzuar për korrupsion e pastrim parash, dhe të tjerëve të lidhur me to.
Ish drejtuesi i klubit ‘Partizani’ ka denoncuar vazhdimisht publikisht presionin që i është bërë për të lëshuar ambientet e ish klubit sportiv që prej fillimit të procedurave të privatizimit.