“Më kërcënuan 5 ambasada”, Meta shpërthen ndaj SPAK: Hetimet u ndikuan nga McGonigal dhe Yuri Kim
Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka dalë me akuza të forta ndaj Prokurorisë së Posaçme (SPAK), duke pretenduar se proceset hetimore ndaj tij janë ndikuar nga faktorë të jashtëm dhe se veprimet e institucionit të drejtësisë nuk kanë qenë të pavarura. Meta ka përmendur në deklaratat e tij ish-zyrtarin e FBI-së, Charles McGonigal, si dhe ish-ambasadoren amerikane në Tiranë, Yuri Kim, duke i akuzuar se kanë ndikuar në zhvillimet politike dhe institucionale në Shqipëri.
Ish-presidenti ka rikthyer edhe pretendimet e tij për ndërhyrje të ambasadave të huaja gjatë periudhës kur ai ishte në krye të Presidencës, duke iu referuar përplasjes së atëhershme për emërimet në Gjykatën Kushtetuese, ku ai thotë se është ushtruar presion ndaj tij për të dekretuar një kandidat të caktuar.
Meta ka folur gjithashtu për çështjen e lobimit në Shtetet e Bashkuara, për të cilën është hetuar nga autoritetet shqiptare, duke mohuar çdo shkelje dhe duke deklaruar se është i gatshëm të përballet me drejtësinë amerikane nëse do të kishte prova për ndonjë shkelje nga ana e tij.
Deklarata e Ilir Metës:
“Prokuroria ka bërë veç shkelje e ndikuar nga Charles McGonigal dhe Yuri Kim, armike e përbetuar e Shqipërisë, në shërbim të Serbisë.
Jam kërcënuar si President i Republikës nga pesë fëlliqësira ambasadash, që përfaqësonin pesë ambasada të huaja, që të mos ishte Marsida Xhaferllari në Kushtetuese, por të ishte ajo e Lanës, Arta Vorpsi.
Për çështjen e lobimit, unë jam i gatshëm të shkoj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me shpenzimet e mia dhe të përballem me drejtësinë amerikane, nëse autoritetet amerikane do të konstatojnë qoftë edhe një shkelje të vetme nga ana ime.”