Më pak njerëz, më shumë sigurime/ Enigma e tregut të punës në Shqipëri
Forca e punës, treguesit e punësimit dhe papunësisë janë të gjitha në rënie njëkohësisht nga tkurrja dhe plakja e shpejtë e popullsisë, por megjithatë numri i personave me sigurime ka vijuar të rritet.
Të dhënat zyrtare të INSTAT treguan se numri total i të punësuarve me sigurime shoqërore në tremujorin e parë të vitit shënoi 764,507 me një shtesë prej 16,671 personash krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ose rreth 2.23%.
Gjatë vitit 2025, punësimi ka ndjekur një trajektore në rritje deri në tremujorin e tretë, ku arriti në 771,332 persona. Megjithatë, në tremujorin e katërt u vu re një rënie në 766,209, trend që ka vijuar edhe në fillim të vitit 2026 si rrjedhojë e karakteristikave sezonale, ku kërkesa për punë rritet në kulmin e turizmit, konkretisht në tremujorët e dytë dhe të tretë të vitit.
Sektori privat vijoi të jetë motori i rritjes së punësimit. Në tremujorin e parë të vitit 2026, numri i të punësuarve kontribuues arriti në 579,688 persona, duke shënuar një rritje me 17,239 punonjës në bazë vjetore, ose 3.06%..
Në sektorin shtetëror, numri i të punësuarve kontribuues ka mbetur pothuajse i pandryshuar. Në tremujorin e parë të vitit 2026, rezultojnë 184,819 të punësuar, me një rënie të lehtë prej 568 personash krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ose -0.31%. Gjatë vitit 2025.
Ndryshe nga anketa e punës që numëron si të punësuar edhe të personat pa pagesë në bizneset e familjes ose ne bujqësi, të dhënat administrative tregojnë për numrin e të punësuarve që kanë derdhur kontribute nga tatimet. Ecuria e kësaj kategorie të punësuarish paraqet rëndësi pasi është garancia për qëndrueshmërinë e skemës së pensioneve.
Gjatë dekadës së fundit sektori publik ka qenë një kontribuues i madh në punonjësit me sigurime për shkak të zgjerimit të fortë të punonjësve. Nga viti 2024 deri në tremujorin e parë të vitit 2026 numri i të punësuarve në shtet u rrit me 12.7 %, duke arritur në 184,819 punonjës nga 163,885 në vitin 2014.
Rritja e punonjësve në shtet erdhi në një kohë që popullsia e vendit u reduktua ndjeshëm nga 3.8 milionë banorë në vitin 2014 në rreth 2,3 milionë banorë në 2026 dhe nga ana tjetër qeveria ka zhvendosur pothuajse të gjitha shërbimet publike online./Monitor