Monday, 24 August 2026
54°F Detroit
BallinaLajme nga ShqiperiaMë shumë kompetenca për Drejtorin e Përgjithshëm, hyjnë në fuqi ndryshimet në Polici! Ja si do jepen gradat dhe si do em

Më shumë kompetenca për Drejtorin e Përgjithshëm, hyjnë në fuqi ndryshimet në Polici! Ja si do jepen gradat dhe si do em

Kanë hyrë në fuqi ndryshimet në ligjin për Policinë e Shtetit, të cilat prekin mënyrën e organizimit të strukturave drejtuese, emërimet në nivelet drejtuese të policisë, si dhe sistemin e gradave.

Një nga ndryshimet kryesore lidhet me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Me ligjin e ri, pas përfundimit të detyrës, ai mund të rikthehet sërish në radhët e uniformave blu, por nuk mund të riemërohet në postin e Drejtorit të Përgjithshëm.

Pas largimit nga detyra, kryepolici nuk del automatikisht nga sistemi, por vazhdon karrierën pranë uniformave blu me gradën “drejtues i parë”, duke shërbyer në role të tjera si këshillues apo pedagog në Akademinë e Sigurisë.

Ky parashikim ndryshon nga ligji i mëparshëm, i cili përcaktonte që Drejtori i Përgjithshëm, pas përfundimit të mandatit, nuk mund të rikthehej në strukturat drejtuese.

Ligji i ri sjell ndryshime edhe në sistemin e gradave të Policisë së Shtetit, duke rishikuar mënyrën e organizimit dhe funksionimit të tyre.

Afati për kalimin nga grada “komisar” në “kryekomisar” dhe nga “kryekomisar” në “drejtues” u ul nga 5 në 4 vite, me argumentin se punonjësit që japin rezultate nuk duhet të presin gjatë vetëm për shkak të procedurave formale.

Po ashtu, drejtori i Përgjithshëm i Policisë do të ketë të drejtën të japë ngritje në gradë edhe para afatit, në raste të veçanta, për efektivë që dallohen për akte heroike apo rezultate të larta në luftën kundër krimit.

Një tjetër ndryshim i rëndësishëm lidhet me emërimin e shefave të komisariateve dhe drejtorive. Sipas ndryshimeve të reja, emërimet do të kryhen sërish nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.

Ndryshe nga më herët, që emërimet bëheshin pas fazës konkurruese të zyrtarëve që garonin për këto poste. Ndryshimet e reja synojnë të përcaktojnë një tjetër mënyrë organizimi të strukturave dhe të funksioneve drejtuese brenda Policisë së Shtetit.

Lini një koment