E martë, 10 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›“Më vunë eksploziv edhe në karton pice!”- Noizy dëshmon në GJKKO: Cllevio e pranoi në TikTok, më shan për të bërë

“Më vunë eksploziv edhe në karton pice!”- Noizy dëshmon në GJKKO: Cllevio e pranoi në TikTok, më shan për të bërë

Rigels Rajku, reperi i njohur si Noizy, dëshmoi të martën në procesin gjyqësor ndaj Laert Haxhiut në Gjykatën e Posaçme.

Më poshtë dhe Dëshmia e Noizyt në seancë:

Prokurori: Jeni në gjendje të shpjegoni për episodin kur u vendos eksploziv në biznesin tuaj në Durrës në qershor 2022?

Noizy: Isha në gjumë, shpërthimi më zgjoi. Më merr babi më thotë ngjarjen. Unë i kam thënë nuk dua të dal se më shohin njerëzit.

Prokurori: Çfarë funksioni kishte objekti

Noizy: Funksion për të bërë lekë, shitje rrobash.

E kam ditur kush e ka bërë. Ka dalë vetë personi Kleviol Ahmeti e ka thënë që e ka vënë Laerti për mua. Edhe para dy muajsh më vunë eksploziv në një karton pice. Policia e pa fitilin e pandezur. Është e njëjta dorë. Ta shpjegova pse e ka bërë e kam sqaruar mbi 20 herë. Një ditë më parë patëm një përleshje me Kleviol Ahmetaj. Më erdhi në lokal me 20 veta për t’u sqaruar. Ofendon stafin dhe mua. Nisi përleshja fizike, atë natë shpërthen dinamiti. Del live në TikTok ai dhe thotë pati bubullima nga Durrësi. E ka pranuar vetë.

Prokurori: E njihni Laert Haxhiun?

Noizy: Nuk e njoh, vetëm pas rastit. Nuk e di kush ishte personi që e vuri lëndën plasëse. E tregoi vetë Klevioli në TikTok, ka një gjyq të hapur se më ka djegur dhe makinën. Personi që e ka djegur e ka pranuar që ka marrë 600 euro.

Gjykata: Informacionet për Kleviol Ahmetajn ku i patë? Po motivi?

Noizy: Brenda 24 orëve vetë personi i tha në rrjetet social. Motivin e doni troç? Erdhi për t’u sqaruar, prej vitit 2019 më shan me nënë e me babë, e bën për famë.

Avokati: Mendoni se kush ju shan juve merr famë?

Noizy: Nuk e mendoj, Merr shumë faj. Dhe një pyetje: A është nevoja të vij më të dëshmoj?

Si nisi konflikti mes dy muzikantëve?

Konflikti mes reperëve Noizy dhe Cllevio ka nisur me ofendime në rrjetet sociale në vitin 2022 dhe është zhvendosur në Gjykatën e Posaçme (GJKKO) në kuadër të procesit ndaj grupit të Laert Haxhiut. Në pranverën e vitit 2022 Kleviol Ahmeti (Cllevio) publikoi video të vazhdueshme në TikTok dhe Instagram duke ofenduar Rigels Rajkun (Noizyn), familjen e tij dhe grupin OTR.

Më 6 qershor 2022, Cllevio theu masën e arrestit në shtëpi dhe shkoi pranë lokalit të Noizyt në Durrës, ku u dhunua fizikisht nga reperi dhe persona të tjerë të grupit të tij. Pas publikimit të pamjeve të sherrit, policia nisi procedimin penal ndaj Noizyt dhe babait të tij për rrahje, ndërsa arrestoi Cllevion për thyerjen e arrestit shtëpiak.

Vetëm dy ditë pas sherrit fizik, më 8 qershor 2022, një sasi eksplozivi shpërtheu në biznesin e familjes Rajku në Durrës, duke shkaktuar dëme materiale. Tensionet vazhduan në gusht të vitit 2023, kur automjeti tip Ferrari i Noizyt u dogj në Durrës, ngjarje për të cilën autori i arrestuar dëshmoi se ishte paguar 2 mijë euro nga Cllevio.

Hetimet e SPAK dhe dëshmia e të penduarit të drejtësisë, Artan Tafani, e lidhën vendosjen e tritolit te lokali i Noizyt me grupin kriminal të Laert Haxhiut, si porosi e ardhur pas konfliktit me Cllevion. Gjatë procesit gjyqësor ndaj Laert Haxhiut në GJKKO në vitin 2026, Noizy dëshmoi se e cilësonte Cllevion si të fiksuar pas tij dhe se e kishte dyshuar menjëherë pas shpërthimit, pasi e kishte rrahur një ditë më parë.

Edhe babai i reperit, Bashkim Rajku, dëshmoi në GJKKO mbi dëmet e shkaktuara nga shpërthimi me tritol në biznesin e tyre në Durrës dhe rrethanat e konfliktit me Cllevion. I thirrur si dëshmitar në GJKKO, Cllevio deklaroi se ditën e sherrit kishte shkuar te lokali i Noizyt me qëllimin për t’u pajtuar, por ishte pritur me grushte e shkelma. Sa i përket shpërthimit me eksploziv, Cllevio mohoi çdo përfshirje apo lidhje me grupin e Laert Haxhiut, duke u shprehur se në momentin e ngjarjes ndodhej në burg dhe e kishte marrë vesh lajmin nga shokët.

Lini një koment