E premte, 13 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Basketbolli ne Kosove›Mediat zvicerane reagojnë për vendimin e Lutfi Dalipit, një tjetër talent zgjedh Kosovën para Zvicrës

Mediat zvicerane reagojnë për vendimin e Lutfi Dalipit, një tjetër talent zgjedh Kosovën para Zvicrës

Vendimi i Lutfi Dalipit për të përfaqësuar Kosovën në të ardhmen ka marrë vëmendje të madhe edhe në mediat zvicerane, siç njofton Telegrafi. Dy nga mediat më të lexuara në Zvicër, Blick dhe 20 Minuten, i kanë kushtuar hapësirë të gjerë zgjedhjes së 20-vjeçarit, i cili shkëlqeu me paraqitjet e tij te Vaduz dhe vendosi të refuzojë Zvicrën për fanellën e Kosovës.

Blick e ka publikuar lajmin me titullin “Talenti i madh ka marrë vendimin për kombëtaren”, duke konfirmuar se Dalipi do të luajë për Kosovën. Mediat zvicerane theksojnë se talenti i ri është lindur dhe rritur në Zvicër dhe deri tani kishte qenë pjesë e ekipeve të moshave të Zvicrës, deri te mosha U21.

Sipas Blick, Dalipi kishte mundësi të zgjidhte mes Kosovës, Shqipërisë dhe Portugalisë, por ai vendosi të përmbushë premtimin që i kishte dhënë gjyshit të tij për të përfaqësuar njërin nga dy vendet shqiptare. Zgjedhja e tij ra mbi Kosovën.

Edhe 20 Minuten i ka kushtuar vëmendje vendimit të tij, duke e trajtuar si rastin e radhës së një talenti që i thotë “jo” kombëtares zvicerane. Titulli i shkrimit të saj, i përkthyer në shqip, është “Çështje zemre – talenti i radhës i kombëtares i thotë jo Zvicrës”.

Paraqitjet e Dalipit këtë sezon kanë qenë të shkëlqyera. Ai po luan te Vaduz, në huazim nga Young Boys, dhe deri tani ka shënuar 5 gola dhe ka dhënë 9 asistime. Forma e tij e mirë ka tërhequr vëmendjen e klubeve të mëdha evropiane, të cilat po e ndjekin me interes ecurinë e tij.

Zgjedhja e Dalipit vjen pas rasteve të Leon Avdullahut dhe Albian Hajdarit, të cilët gjithashtu zgjodhën “Dardanët” para Zvicrës. Dalipi bëhet kështu një tjetër emër i ri që i bashkohet listës së talenteve që kanë zgjedhur Kosovën para Zvicrës.

Lini një koment