Merkel ose Draghi janë zgjedhjet e evropianëve për një dialog të mundshëm me Putinin
Ish-Presidenti i Bankës Qendrore Evropiane, Mario Draghi dhe ish-Kancelarja gjermane, Angela Merkel janë dy opsionet që po shqyrtohen nga qeveritë e Bashkimit Evropian për t’i përfaqësuar ato në negociatat e mundshme me Rusinë, raportoi Financial Times.
Ndërsa momentumi për rihapjen e kanaleve zyrtare të komunikimit me Rusinë intensifikohet, ministrat e jashtëm të BE-së pritet të shqyrtojnë meritat e kandidatëve potencialë në një takim në Qipro javën e ardhshme, thanë burime me njohuri për konsultimet për gazetën.
Kjo u parapri nga mbështetja e shprehur nga Uashingtoni dhe Kievi për përfshirjen evropiane në bisedimet me Putinin rreth luftës në Ukrainë.
Administrata e Donald Trump , e cila aktualisht është e përqendruar në luftën në Lindjen e Mesme , i ka informuar zyrtarët evropianë se nuk është kundër komunikimit paralel evropian me Rusinë, si pjesë e përpjekjeve amerikane për paqe, thanë tre nga burimet.
“Ata e dinë që procesi aktual nuk po funksionon”, tha njëri prej tyre, duke iu referuar përpjekjeve ekzistuese për t’i dhënë fund konfliktit.
Brukseli ndërpreu kanalet zyrtare të komunikimit me Moskën pas pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022 , me përjashtim të iniciativave të kufizuara nga disa udhëheqës evropianë.
Megjithatë, mungesa e përparimit në bisedimet e udhëhequra nga SHBA-të – kryesisht për shkak të kërkesave të palëkundura territoriale të Rusisë, të cilat Kievi i hedh poshtë – ka përforcuar shqetësimin në Bashkim se ai mbetet në anë dhe mund të përballet me një marrëveshje me kushte të pafavorshme.
Në këtë kontekst, diskutimi mbi emërimin e një të dërguari të përbashkët evropian po intensifikohet, pavarësisht mosmarrëveshjeve të konsiderueshme midis shteteve anëtare në lidhje me fizibilitetin dhe fushëveprimin e një roli të tillë, si dhe skepticizmit nëse Putini do të reagonte pozitivisht.
Përveç Draghi-t dhe Merkel-it, disa qeveri kanë nominuar edhe presidentin finlandez Alexander Stubbs dhe paraardhësin e tij Sauli Niinisto.
Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, tha këtë muaj se BE-ja po përgatitej për bisedime “të mundshme” me Putinin.
Diskutimet midis kryeqyteteve evropiane vazhdojnë në nivele të ndryshme, ndërsa nuk përjashtohet që çështja të ngrihet zyrtarisht në një Samit të BE-së në qershor.
“Ne pajtohemi që Evropa duhet të marrë pjesë në negociata”, tha Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky pas një telefonate me Costën të dielën. “Është e rëndësishme që ajo të ketë një zë dhe prani të fortë në këtë proces dhe të përcaktojë se kush do ta përfaqësojë atë”.