Mërtiri: Rama rrezikon integrimin në Evropë me projektin e Zvërnecit. Rezoluta, pro protestës
Analisti Ergys Mërtiri ka deklaruar në emisionin “3D” të Alban Dudushit në RTSH1 se po rrezikohet integrimi i vendit nisur nga qasja e kryeministrit Edi Rama mbi situatën e fundit në Zvërnec.
Sipas Mërtirit, ligji për zonat e mbrojtura i miratuar në vitin 2024 ishte një hap i qëllimshëm për të hapur rrugën e ndërtimeve në dëm të mjedisit, çka ka sjellë edhe reagimin e ashpër të Bashkimit Europian.
“Pikërisht atë që ambientalistët ia kanë thënë zotit Rama, që në vitin 2024 bëri një ligj skandaloz që shkatërroi mjedisin. E bëre kastile për të ndërtuar këto, për të bërë këtë lloj zullumi që po bën atje. Dhe BE-ja thotë: ‘Ç’bëre, atë që bëre?’”, u shpreh analisti.
Më tej, ai vuri në dukje se institucionet europiane kanë mbajtur një qëndrim jashtëzakonisht kritik, aq sa mesazhet e tyre të tërthorta i ngjajnë një dënimi të hapur të lidershipit politik në vend.”
Nuk e di, BE-ja vetëm sa s’ka dalë të thotë ‘Rama në burg, Berisha në burg’. Kjo i ka mbetur. Parlamenti Europian thotë kështu”, tha Mërtiri.
Mërtiri argumenton se kryeministri po injoron sinjalet e qarta që vijnë nga zyrtarët dhe zëdhënësit e BE-së, të cilët kanë bërë publike shqetësimet e tyre.
Sipas tij, Shqipëria po rrezikon të humbasë një mundësi historike gjeopolitike për shkak të kokëfortësisë institucionale.
“Zëdhënës të BE-së kanë dalë dhe kanë thënë edhe për media siç është Politico, po edhe zëdhënësi i BE-së ka dalë duke dhënë konferencë për shtyp dhe ka thënë që rrezikoni integrimin për çështjet mjedisore duke u lidhur me Zvërnecin. Pra, këtu ka një gjë: ky nuk do të dëgjojë”, deklaroi Mërtiri.
Analisti pranon se procesi i zgjerimit të BE-së aktualisht favorizohet nga konteksti gjeopolitik, një fakt që e ka pranuar edhe vetë Rama, por shton se ky “fat” nuk mund të keqpërdoret.
“Rama vetë e ka thënë dhe ka të drejtë kur e ka thënë, që ky është një fat që na ka ardhur tani sepse Europa ka vullnetin të zgjerohet…
Tani, në momentin që të vjen ky tren, ti je në stacion dhe të vjen treni i cili mund të jetë treni jo i fundit, por i pari dhe i fundit, dhe ti s’do kesh tren fare tjetër, ti bën këtë lloj karshillëku ndaj Europës dhe ke luksin të thuash e zbatoj apo nuk e zbatoj rezolutën e BE-së?”, nënvizoi Mërtiri.