Meta letër kreut të SPAK: Po më cenohet mbrojtja, procesi me shkelje procedurale
Ish-presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, i ka dërguar një letër zyrtare drejtuesit të SPAK, Klodian Braho, ku pretendon se ndaj tij po zhvillohet një proces me shkelje procedurale dhe ndërhyrje politike.
Në letrën e tij, Meta shprehet se i është pamundësuar mbrojtja efektive në çështjen që lidhet me kontratën e lobimit të LSI-së në SHBA ndërsa thekson se kërkesat për shtyrje të afateve të konfidencialitetit të dokumenteve, sipas tij, e bëjnë të pamundur ndërtimin e një mbrojtjeje efektive.
Ai shton se çështja duhet të trajtohet vetëm mbi bazën e ligjshmërisë së provave dhe pa ndikim politik ndërsa thotë se hetimet ndaj tij janë shoqëruar me “bllokim artificial të transparencës” dhe me mosvënie në dispozicion të provave që, sipas tij, do ta shfajësonin.
Në përfundim të letrës, Meta shprehet se kërkesa e tij është në interes të zbardhjes së plotë të çështjes dhe kërkon që procesi të vijojë në mënyrë të drejtë dhe transparente.