METEO – Zjarret përfshijnë veriun e Spanjës dhe Portugalinë, qindra zjarrfikës në terren
MADRID/LIZBONË, 4 korrik /ATSH-AFP/ – Qindra zjarrfikës spanjollë po përpiqen të shuajnë një zjarr të madh pyjor që po zgjerohet pranë zonës turistike të Costa Bravas, ndërsa autoritetet në Portugali kanë kërkuar ndihmë ndërkombëtare për të përballuar flakët që kanë përfshirë veriun e vendit.
Temperaturat e larta, era e fortë dhe thatësira kanë favorizuar përhapjen e shpejtë të zjarreve, duke vështirësuar punën e ekipeve të emergjencës në të dy vendet.
Në Spanjë, qindra efektivë të zjarrfikësve, të mbështetur nga mjete ajrore, janë angazhuar për të vënë nën kontroll flakët pranë Costa Bravas një nga destinacionet më të njohura turistike të vendit.
Autoritetet kanë monitoruar nga afër situatën dhe, në disa zona, banorëve u është kërkuar të tregojnë kujdes ose të largohen përkohësisht, ndërsa vijojnë përpjekjet për të mbrojtur vendbanimet dhe zonat turistike.
Edhe Portugalia po përballet me disa vatra të mëdha zjarri në pjesën veriore të vendit.
Për shkak të përmasave të situatës, qeveria ka kërkuar ndihmë nga partnerët evropianë për të përforcuar operacionet e shuarjes.
Ekipet e emergjencës po përdorin avionë dhe helikopterë zjarrfikës, ndërsa mijëra hektarë pyje dhe bimësi rrezikohen nga përhapja e flakëve.
Vala e të nxehtit që ka përfshirë Evropën Jugore ka rritur ndjeshëm rrezikun e zjarreve pyjore, duke detyruar autoritetet në disa vende të forcojnë masat parandaluese dhe gatishmërinë.
Autoritetet në Spanjë dhe Portugali u kanë bërë thirrje qytetarëve dhe turistëve të ndjekin udhëzimet e shërbimeve të emergjencës dhe të shmangin aktivitetet që mund të shkaktojnë zjarre, derisa situata të vihet plotësisht nën kontroll.