MIA i përgjigjet sërish Tabakut pas fshirjes së postimit: Nuk zëvendëson një ndjesë ndaj publikut
Vijojnë replikat në distancë mes Agjencisë për Media dhe Informim dhe deputetes demokrate Jorida Tabaku.
Pas kundërpërgjigjes së Tabakut ka reaguar sërish MIA, e cila përshëndet fshirjen e mesazhit dizinformues nga Tabaku, por sipas saj kjo nuk zëvendëson një ndjesë ndaj publikut.
“MIA përshëndet fshirjen e mesazhit dizinformues nga znj. Tabaku. Duke qenë se znj. Tabaku, në vend të një ndjese ndaj audiencës së cilës i përcolli informacionin e rremë, zgjodhi të ironizojë MIA-n për angazhimin e saj në luftën kundër dizinformimit, përfitojmë nga rasti t’u kujtojmë të gjithëve se detyra jonë si Agjenci është e pandarë nga përgjegjësia për të identifikuar, verifikuar dhe saktësuar përmbajtjet dizinformuese. MIA do të vijojë ta bëjë këtë detyrë pa asnjë dallim, pavarësisht se kush e prodhon apo e amplifikon një informacion të rremë. Informimi i saktë i publikut dhe mbrojtja e tij nga dizinformimi është qëllimi dhe misioni ynë i përditshëm”, shkroi MIA.