Tuesday, 5 May 2026
54°F Detroit
BallinaAmerikaMichigan i bashkohet padise kunder administratës Trump për urdhrin mbi votimin me postë

Michigan i bashkohet padise kunder administratës Trump për urdhrin mbi votimin me postë

Përveç Michiganit, në këtë padi marrin pjesë edhe shtete të tjera si Kalifornia, Nju Jorku, Ilinoisi, Uashingtoni dhe Pensilvania, duke e kthyer këtë çështje në një nga përplasjet më të mëdha ligjore mbi të drejtat zgjedhore në vend në vitet e fundit.

Një përplasje e re ligjore është hapur mes shteteve dhe qeverisë federale në SHBA, pasi Prokurorja e Përgjithshme e Michiganit, Dana Nessel, iu bashkua një koalicioni prej 24 prokurorësh dhe guvernatorësh që kanë ngritur padi kundër administratës së Donald Trump. Padia sfidon një urdhër ekzekutiv të nënshkruar më 31 mars, i cili sipas tyre ndërhyn në mënyrë të paligjshme në administrimin e zgjedhjeve nga shtetet dhe rrezikon votimin me postë.

Padia është depozituar në Gjykatën Federale të Qarkut në Massachusetts dhe kundërshton një sërë masash të parashikuara në urdhrin presidencial. Mes tyre përfshihet krijimi i një liste federale të votuesve të kualifikuar dhe detyrimi që shtetet të dorëzojnë lista të votuesve që do të marrin fletëvotime me postë.

Një nga pikat më të debatueshme është roli i United States Postal Service, e cila sipas urdhrit do të ndalohej të dërgonte fletëvotime për qytetarët që nuk figurojnë në listën federale. Gjithashtu, urdhri kërkon zhvillimin e barkodeve specifike për çdo votues, me qëllim gjurmimin e fletëvotimeve — një proces që duhet të përfundojë brenda katër muajsh, pikërisht para zgjedhjeve paraprake të 4 gushtit në Michigan.

Prokurorja Nessel theksoi se votimi me postë është një metodë e sigurt dhe e përdorur gjerësisht. Sipas saj, mbi 2.2 milionë qytetarë të Michiganit votuan në këtë mënyrë në zgjedhjet e vitit 2024. Ajo shtoi se do të mbrojë të drejtën e votimit me postë, e cila është miratuar nga votuesit e shtetit që në vitin 2018.

Nga ana tjetër, guvernatorja e Michiganit, Gretchen Whitmer, e cilësoi urdhrin si një tejkalim të kompetencave federale dhe një shkelje të Kushtetutës. Ndërsa Sekretarja e Shtetit, Jocelyn Benson, paralajmëroi se zbatimi i tij mund të krijojë “frikë, konfuzion dhe pasiguri” tek votuesit, duke rrezikuar që shumë prej tyre të mbeten pa mundësi për të votuar.

Një tjetër shqetësim i ngritur nga paditësit është fakti se shtetet që nuk i binden urdhrit mund të humbasin fonde federale, ndërsa zyrtarët shtetërorë mund të përballen me ndjekje penale nëse dërgojnë fletëvotime për persona që qeveria federale i konsideron të papërshtatshëm.

Koalicioni i shteteve argumenton se Kushtetuta amerikane ia jep shteteve — dhe jo presidentit — autoritetin për të administruar zgjedhjet. Për këtë arsye, ata i kanë kërkuar gjykatës që të bllokojë zbatimin e urdhrit ekzekutiv.

Përveç Michiganit, në këtë padi marrin pjesë edhe shtete të tjera si Kalifornia, Nju Jorku, Ilinoisi, Uashingtoni dhe Pensilvania, duke e kthyer këtë çështje në një nga përplasjet më të mëdha ligjore mbi të drejtat zgjedhore në vend në vitet e fundit.

Lini një koment