E mërkurë, 20 Maj 2026
54°F Detroit
BallinaMichiganMichigan regjistron pesë vjet radhazi rekorde në riciklim me nisma të reja për akses më të madh

Michigan regjistron pesë vjet radhazi rekorde në riciklim me nisma të reja për akses më të madh

Në Ditën Botërore të Tokës 2026, Drejtoria e Menaxhimit të Materialeve në Departamentin e Mjedisit, Liqeneve të Mëdha dhe Energjisë së Michiganit (EGLE), së bashku me skuadrën “Recycling Raccoon”, njoftuan se niveli i riciklimit në Michigan ka arritur një rekord për vitin e pestë me radhë.

Për vitin fiskal 2026, niveli i riciklimit në shtet është 26%. Megjithëse është ende poshtë mesatares kombëtare prej 32%, autoritetet e shtetit vlerësojnë se përparimi është i qëndrueshëm dhe ecuria tregon që Michigan është në rrugën e duhur për të arritur një normë 30% riciklimi deri në vitin 2029.

Tracy Kecskemeti, drejtoreshë e Divizionit të Menaxhimit të Materialeve pranë EGLE, e përshkroi këtë arritje si një sukses të rëndësishëm për shtetin.

“Niveli i riciklimit të Michiganit është më i larti që ka qenë ndonjëherë për pesë vjet me radhë, dhe kjo është diçka për të cilën duhet të jemi krenarë,” theksoi ajo.

Autoritetet shpjegojnë se zgjerimi i mundësive për riciklim, si përfshirja e më shumë komuniteteve me shërbime të mbledhjes direkt në rrugë, ka ndihmuar shumë në rritjen e pjesëmarrjes së banorëve.

Kecskemeti gjithashtu përmendi përpjekjet e edukimit si një faktor kyç në këtë rritje. “Një pjesë e madhe e suksesit tonë vjen nga edukimi. Kur njerëzit mësojnë mënyrën e duhur të riciklimit, ne riciklojmë më shumë,” tha ajo.

Vetëm gjatë vitit të kaluar, banorët e Michiganit ricikluan mbi 800,000 tonë material. Për të ilustruar këtë sasi, Kecskemeti shpjegoi se pesha e këtij materiali është e barabartë me pesëmbëdhjetë herë pesha e Ura Mackinac dhe do të mbushte disa stadiume të mëdha në shtet.

“Ky material do të mbushte stadiumet e Detroit Lions, Michigan Wolverines, Michigan State Spartans dhe gjithashtu zonën e tërë të kopshtit zoologjik të Detroitit,” deklaroi ajo.

Zgjerimi i riciklimit shihet si një pjesë kyçe e objektivave më të gjera të shtetit për klimën, ndërsa Michigan po punon për reduktimin e mbeturinave dhe ndërtimin e një ekonomie më të qëndrueshme.

Lini një koment