E martë, 17 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Ministri Hoxha takohet me Komisioneren Kos, fokusi te përmbyllja e negociatave dhe Plani i Rritjes

Ministri Hoxha takohet me Komisioneren Kos, fokusi te përmbyllja e negociatave dhe Plani i Rritjes

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, zhvilloi një takim pune me Komisioneren Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, me fokus ecurinë e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe hapat e mëtejshëm drejt përmbylljes së negociatave.

Gjatë takimit, palët bënë një bilanc të progresit të arritur pas publikimit të Raportit të Progresit 2026, shqyrtuan udhërrëfyesin e negociatave dhe diskutuan mbi perspektivën e procesit, si dhe ecurinë e zbatimit të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

Ministri Hoxha vuri theksin te domosdoshmëria që dinamika aktuale e procesit integrues të përkthehet në hapa konkretë. Në një reagim të publikuar në platformën X pas takimit, ai theksoi rëndësinë e vijimit të punës me kapitujt e negociatave.

“Shqipëria ka ndërtuar një vrull të vërtetë. Tani është koha për ta kthyer vrullin në rezultate të matshme, për të vazhduar mbylljen e kapitujve dhe për të transformuar angazhimet në reforma, dhe reformat në anëtarësim”, u shpreh ministri Hoxha.

Bashkëpunimi me institucionet e BE-së në fazën vendimtare

Në vijim të qëndrimit të tij, kreu i diplomacisë shqiptare nënvizoi se koordinimi i ngushtë me institucionet evropiane dhe kryeqytetet e unionit mbetet kyç për ritmin e integrimit.

“Bashkëpunimi i ngushtë me Komisionin Evropian dhe Shtetet Anëtare të BE-së mbetet thelbësor, ndërsa përshpejtojmë zbatimin, përmbushim angazhimet tona dhe përparojmë me vendosmëri në fazën e fundit drejt anëtarësimit në BE”, deklaroi ai.

Në përfundim, ministri Hoxha shprehu mirënjohjen për Komisioneren Marta Kos për mbështetjen e vazhdueshme dhe angazhimin e saj “në mbështetjen e një procesi të besueshëm dhe të bazuar në meritë të zgjerimit që forcon si Shqipërinë ashtu edhe Bashkimin Evropian dhe investon në të ardhmen tonë të përbashkët evropiane”.

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Lini një koment