Friday, 2 October 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Ministri Nufi takohet me Ambasadorin e ri amerikan në Tiranë, Eric Wendt: Me SHBA, Shqipëria qëndron krah për krah për lir

Ministri Nufi takohet me Ambasadorin e ri amerikan në Tiranë, Eric Wendt: Me SHBA, Shqipëria qëndron krah për krah për lir

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ka pritur sot në takim (2 tetor) Ambasadorin e ri të SHBA në Tiranë, Eric Wendt.

“Ambasador Wendt, mirë se erdhët në Shqipëri!” – shprehet Ministri Nufi në publikimin e tij në rrjete sociale, teksa nënvizon se:

“SHBA janë partner i pazëvendësueshëm i Shqipërisë në mbrojtje dhe siguri, ndërsa vendi ynë i sjell këtij partneriteti një pozicion gjeografik me rëndësi, besueshmëri dhe vullnet të qartë për të bashkëpunuar.”

Ndër të tjera, në publikimin e tij Ministri Nufi shton se Korridori VIII, Porto Romano, Baza Ajrore Kuçovë dhe kapacitetet tona për Mbështetjen e Vendit Pritës forcojnë arkitekturën dhe lëvizshmërinë e Aleancës në Evropën Juglindore.

Nufi nënvizon gjithashtu se Shqipëria është tashmë një kontribuuese aktive për paqen dhe sigurinë:

“Nga mbështetja për Ukrainën dhe prania në KFOR, tek shumë iniciativa shumëkombëshe, apo vendimi për pjesëmarrjen në Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit në Gaza – Shqipëria dëshmon se është tashmë një aleate e besuar dhe e aftë të kontribuojë për sigurinë dhe paqen.”

“Me Shtetet e Bashkuara, Shqipëria qëndron krah për krah – për lirinë, sigurinë dhe paqen”, e mbyll publikimin e tij, ministri Nufi.

Lini një koment