Ministria e Drejtësisë hap fushatën kundër dhunës me bazë gjinore, prezantohet ekspozita fotografike për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës
Ministria e Drejtësisë ka nisur të martën fushatën globale “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, me një sërë aktivitetesh që synojnë ndërgjegjësimin për parandalimin e dhunës, edukimin për barazi dhe respektimin e dinjitetit njerëzor.
Në kuadër të kësaj fushate, në ambientet e Ministrisë së Drejtësisë është prezantuar ekspozita fotografike “Në sytë e tjetrit”, e fotografit Korab Basha, e cila sjell një rrëfim të veçantë për përvojat e personave që kanë përjetuar dhunën seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Në prezantimin e ekspozitës, përveç ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, e pranishëm ishin edhe presidentja, Justina Shiroka-Pula dhe kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu.
Gërvalla e ka përshëndetur prezantimin e ekspozitës në ambientet e ministrisë, duke shprehur kënaqësinë që ky projekt artistik është sjellë në kuadër të aktiviteteve të fushatës.
“Jam shumë e lumtur që ke vendosur ta sjellësh ekspozitën këtu”, është shprehur Gërvalla.
Ndërkaq, Haxhiu, gjatë bisedës me fotografin Basha, ka vlerësuar mënyrën se si ai, përmes artit, po ua përcjell zërin të mbijetuarve të dhunës seksuale.
Përmes fotografive të bebëzave të syve të të mbijetuarve, Basha ka zgjedhur një qasje artistike për të trajtuar një nga plagët më të rënda të luftës, duke u dhënë hapësirë kujtesës, dëshmive dhe dhimbjes që shpesh ka mbetur e pathënë për shkak të traumës dhe stigmës shoqërore.
Ekspozita nuk synon të rrëfejë dhimbjen në vend të të mbijetuarve, por të krijojë një hapësirë reflektimi përmes syve të tyre, të cilët fotografi i konsideron pasqyrë të përjetimeve që nuk mund të shprehen gjithmonë me fjalë.
Në rrëfimin e tij për realizimin e këtij projekti, Basha ka treguar se takimet me të mbijetuarit përbënin fillimisht një sfidë personale, pasi nuk dinte si t’u afrohej njerëzve që për vite me radhë i kishin mbajtur të mbyllura përvojat e tyre.
“Kur e fillova këtë projekt, gjëja e parë që më shqetësonte ishte takimi. Nuk e dija se si do të më prisnin njerëzit që trauma dhe stigma i ndjekë si mallkim. Nuk e dija si të flisja me ta. Si të qasem. Si ta hapja një bisedë për diçka që kishte mbetur e mbyllur për vite të tëra. Kisha frikë nga vetja, nga heshtja ime. Sepse, fjala është ngushëllim. E unë nuk kisha zë”, ka rrëfyer Basha.
Megjithatë, ai ka thënë se pritja e të mbijetuarve ishte ndryshe nga ajo që kishte imagjinuar. Ata pranuan të flisnin dhe të ndanin përvojat e tyre, ndonëse, siç ka theksuar fotografi, rrëfimet nuk ishin të lehta as për gratë, as për burrat që kishin përjetuar dhunën seksuale.
Në këto takime, Basha është shoqëruar edhe nga Linda Sada, prania dhe mënyra e komunikimit e së cilës, sipas tij, ndihmuan në lehtësimin e momenteve të vështira mes fotografit dhe të mbijetuarve.
Një pjesë të veçantë të projektit e përbëjnë takimet me burrat që kanë përjetuar dhunë seksuale gjatë luftës. Fotografitë dhe rrëfimet e tyre janë pjesë e një procesi në të cilin Basha është përballur me përvoja të rënda njerëzore, të cilat shpesh kanë mbetur jashtë vëmendjes publike.
Ai ka treguar se disa nga këta persona i kishte takuar në parkun e qytetit të Prishtinës. Pas një fillimi të shoqëruar me siklet dhe pasiguri, bisedat morën rrjedhë dhe të mbijetuarit nisën të rrëfenin përvojat e tyre të dhimbshme.
“Ka ndodhur në një pikë, rrugës për … më përdhunuan dhe më rrahën shumë”, ishte njëri nga rrëfimet që Basha ka kujtuar nga këto takime.
Një tjetër person i kishte treguar se ishte kapur dhe dërguar në një depo, ndërsa një fjali që i kishte mbetur gjatë në mendje fotografit ishte: “Nuk mund t’i bie më andej”.
Basha ka thënë se këto rrëfime e kishin tronditur, pasi pas tyre qëndronte trauma që vazhdonte t’i ndiqte të mbijetuarit edhe shumë vite pas përfundimit të luftës.
Pas bisedave, ata pranuan të fotografoheshin, ndërsa Basha vendosi që në fotografi të mos shfaqeshin fytyrat e tyre, por vetëm bebëzat e syve.
Sipas tij, kjo zgjedhje artistike lidhet me bindjen se sytë mund të përcjellin përjetime që shpesh mbeten jashtë komunikimit verbal.
“Në to mund të shohësh diçka që nuk thuhet me fjalë. Mund të shohësh frikën, dhimbjen, heshtjen. Në bebëzën e syrit reflektohem edhe unë”, ka shpjeguar ai.
Pikërisht gjatë këtij procesi, fotografi ka thënë se kuptimi i projektit kishte filluar të ndryshonte edhe për të. Ai nuk po fotografonte vetëm një pjesë të syrit, por edhe retrospektivën e një njeriu që kishte përjetuar diçka të tmerrshme dhe forcën e tij për të vazhduar jetën.
Pas përfundimit të takimeve, Basha ka treguar se i kishte shqyrtuar fotografitë një nga një, duke vëzhguar reflektimet, dritën dhe bebëzat e syve. Në këtë proces, atij i kishte lindur edhe një pyetje për mundësinë që teknologjia, e ndoshta edhe inteligjenca artificiale, një ditë të jetë në gjendje të përkthejë vuajtjen e reflektuar në sytë e njeriut.
Ai ka ngritur edhe dilema për kujtesën dhe të vërtetën historike, duke pyetur nëse një kuptim më i hershëm i asaj që kishin përjetuar viktimat do të mund të ndihmonte në parandalimin e krimeve të tilla.
Për Bashën, ekspozita është më shumë sesa një koleksion fotografish. Ajo është një përpjekje për ta mbajtur gjallë kujtesën dhe për të krijuar një hapësirë ku përvojat e të mbijetuarve të mos mbeten të harruara.
“Kemi rrëfimet, kemi kujtesën, kemi dëshmitë dhe kemi sytë. Kemi edhe tabutë. Prandaj, zgjodha bebëzën sepse fotografia nuk ka nevojë të tregojë gjithçka. Mjafton të të shtyjë të mendohesh. Ta zbërthesh dhe ta përkthesh momentin. Në këtë rast edhe për të kaluarën”.
“Unë i kisha fotografuar vetëm sytë. Por, në sy mbeti edhe diçka tjetër. Dhe, mbase ky ishte qëllimi që kërkoja me këtë ekspozitë: jo të tregoj dhimbjen e tyre në vend të tyre, por të krijoj një hapësirë që ajo dhimbje të mos harrohet; një hapësirë ku syri bëhet dëshmi; ku reflektimi është kujtesë; dhe, ku ajo që nuk u filmua kurrë, do të vazhdojë të kërkojë të vërtetën”, ka përfunduar fotografi.
Ekspozita “Në sytë e tjetrit” ishte prezantuar më herët edhe në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Fotografisë “Fotoist”.
Prezantimi i saj në Ministrinë e Drejtësisë, në kuadër të fushatës “16 Ditët e Aktivizmit”, rikthen në vëmendje rëndësinë e njohjes dhe dokumentimit të përvojave të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, si dhe nevojën që këto përvoja të mos mbeten të mbuluara nga heshtja dhe stigma shoqërore./Telegrafi.