Ministria e Jashtme përshëndet listën e përbashkët të partive shqiptare në zgjedhjet e Serbisë
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka përshëndetur arritjen e marrëveshjes për paraqitjen e një liste të përbashkët të partive dhe subjekteve politike shqiptare në zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit 2026 në Serbi.
Përmes një reagimi, ministria përgëzon të gjithë faktorët politikë shqiptarë në Luginën e Preshevës për përgjegjshmërinë, pjekurinë politike dhe vizionin që, sipas saj, dëshmuan me këtë vendim.
“Ky veprim përcjell një mesazh të qartë: interesat e shqiptarëve mbrohen më mirë kur përfaqësimi i tyre politik është i bashkuar, i koordinuar dhe i vendosur”, thuhet në reagim.
Sipas Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, përfaqësimi dinjitoz dhe efektiv në institucionet e vendit ku jetojnë shqiptarët kërkon unitet, përgjegjësi dhe një qëndrim të përbashkët për çështjet që prekin drejtpërdrejt të drejtat, mirëqenien dhe të ardhmen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
“Kjo listë e përbashkët duhet të shërbejë si dëshmi se kur bashkohet zëri politik, forcohet përfaqësimi; dhe kur forcohet përfaqësimi, mbrohen më mirë interesat e qytetarëve dhe rritet pesha e tyre në proceset vendimmarrëse”, vijon reagimi.
Në përfundim, ministria thekson se Shqipëria do të vazhdojë të mbështesë me vendosmëri të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, përfaqësimin e tyre të drejtë, barazinë e plotë para ligjit, si dhe zhvillimin ekonomik e shoqëror të komunitetit shqiptar.