Tuesday, 5 May 2026
54°F Detroit
BallinaShqiperiaMiratimi i Rezolutës nga Komisioni i Jashtëm i PE, Begaj: Vlerësim për reformat e ndërrmarra për përparimin e Shqipërisë drejt BE-së

Miratimi i Rezolutës nga Komisioni i Jashtëm i PE, Begaj: Vlerësim për reformat e ndërrmarra për përparimin e Shqipërisë drejt BE-së

Presidenti Bajram Begaj e konsideron vlerësim për reformat e ndërmarra për përparimin e vendit drejt BE-së, miratimin e raportit për Shqipërinë në Komisioni për Punët e Jashtme në PE.

Kreu i Shtetit garanton vendosmërinë dhe përkushtimin e vendit për arritjen e objektivit strategjik të anëtarësimit të plotë në familjen e madhe europiane.

“Miratimi i Raportit për Shqipërinë në Komitetin për Punët e Jashtme në Parlamentin Europian është një vlerësim për reformat e ndërrmarra për përparimin e vendit në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Shqipëria është e vendosur dhe e përkushtuar në rrugën e saj evropiane për arritjen e objektivit strategjik, anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian”, shkruan Begaj në rrjetin social Facebook.

Në mbledhjen e Komisionit për Punët e Jashtme, eurodeputetët e miratuan dokumentin me 58 vota pro, 7 kundër dhe 7 abstenime. Në raportin e përgatitur nga Andreas Schieder vlerësohet progresi i vendit në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe theksohet rëndësia e reformave të mëtejshme për të garantuar një proces të qëndrueshëm dhe të suksesshëm integrimi.

Megjithatë, Parlamenti Europian nënvizon se nevojiten reforma edhe më të thella dhe të qëndrueshme, të cilat janë thelbësore për forcimin e institucioneve demokratike dhe për përmbushjen e standardeve të BE-së. Raporti vlerëson gjithashtu angazhimin e Shqipërisë për integrimin europian, duke evidentuar konsensusin e gjerë politik dhe mbështetjen e fortë të qytetarëve për këtë proces.

Një tjetër element i rëndësishëm është fakti se Shqipëria ka hapur të gjitha grup-kapitujt e negociatave brenda 13 muajsh, si dhe ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm në reformën në drejtësi, ku vlerësohet veçanërisht puna e SPAK-ut. Ndër çështjet kyçe mbetet përmirësimi i sistemit zgjedhor, në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias.

Po ashtu, raporti vlerëson rolin e Shqipërisë në politikën e jashtme të BE-së dhe kontributin për stabilitetin rajonal, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit me vendet e Ballkanit Perëndimor në kuadër të procesit të zgjerimit.

Lini një koment